Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla i shoqëruar nga deputeti Ervin Bushati, filloi sot paradite një seri takimesh intensive në Parlamentin gjerman (Bundestag) ashtu edhe me përfaqësues të qeverisë gjermane.

Takimet në Bundestag janë me deputetë të koalicionit qeverisës CDU-CSU-SPD, por edhe me drejtues të grupeve parlamentare të partive të tjera dhe me raporterët për Shqipërinë të këtyre grupimeve.

Në grupin e CDU/CDU zoti Balla zhvilloi sot paradite takime me deputetët Mark Hauptmann, Axel Müller, Nikolas Löbel, Joachim Pfeiffer. “Qëllimi i këtyre takimeve është angazhimi ynë lidhur me rekomandimin pozitiv pa kushte te Komisionit Europian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian dhe shqyrtimi i këtij rekomandimi edhe nga Bundestagu gjerman”, u shpreh Balla.

Në takimin me Mark Hauptmann, njëkohësisht dhe anëtar i delegacionit gjerman, në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, u diskutua mbi raportin e progresit te Komisionit Europian. Zoti Hauptmann vlerësoi maksimalisht ecurinë e reformës ne drejtësi si një kusht i përmbushur tashmë për vijimin e rrugës europiane të Shqipërisë në stacionin tjetër. Ai rishprehu qëndrimin se ‘nuk është e zakonshme për ne të ndërhyjmë në çështjet e brendshme të Shqipërisë dhe se respektimi i ligjeve, rregullave dhe Kushtetutës nuk duhet të vihet në dyshim nga asnjë palë’. “Partitë duhet të marrin pjesë në zgjedhje, por askush nuk është i detyruar. Kjo është demokracia. Por nuk është e drejtë të kërkohet shtyrja e zgjedhjeve nga aktorë te jashtëm në një shtet të pavarur dhe demokratik”, u shpreh zoti Hauptmann.

Në takimin me zotin Nikolas Lobel dhe zotin Axel Müller u diskutua mbi procedurat që do të ndjekë Bundestagu gjerman për shqyrtimin e vendimit për fillimin e bisedimeve.
Zoti Muller vlerësoi se qoftë Shqipëria, qoftë Maqedonia e Veriut kane plotësuar detyrat e lëna nga qershori i vitit të shkuar në Këshillin Europian. “Ka një vlerësim pozitiv edhe këtu në Bundestag lidhur me fillimin e bisedimeve gjatë 2019”, tha Muller.

Balla zhvilloi një takim me Josip Juratovic (SPD) Kryetar i Komisionit Parlamentar për Evropën Juglindore në Bundestag. Kryetari i Grupit Socialist vlerësoi pozicionin zyrtar të qeverisë gjermane të bërë publik përmes Ministrit për Evropën Michael Roth në mbështetje të fillimit të bisedimeve.

Balla e informoi kolegun gjerman se praktikisht/teknikisht negociatat janë hapur sa kohë kemi startuar prej shtatorit 2018 procesin “screening”.

Zoti Juratovic një njohës shumë i mirë i Ballkanit Perëndimor u shpreh: “Para disa ditësh pata një takim me Komisionerin për Zgjerim Johanes Hahn dhe bashkë-ndava me të bindjen se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut meritojnë fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Qasja jonë ndaj këtyre dy vendeve është një test i kredibilitetit të BE. Për mua, anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE nuk është zgjerim, por plotësim i hartës së BE. I kam ndjekur me vëmendje zhvillimet politike në Shqipëri dhe dua ta them shumë qartë se bojkoti i parlamentit është kundër parimeve të demokracisë”.

Ai deklaroi se lufta politike duhet të zhvillohet vetëm në Parlament. “Unë jam i krishtere dhe per mua respekti ndaj Parlamentit është po aq i shenjtë sa respekti ndaj Kishës. Ata që bëjnë këto veprime dhe protesta të dhunshme nuk e duan Shqipërinë në BE. E kam thënë edhe për raste të ngjashme në vende të tjera të Ballkanit, një parti mund të jetë kundër partisë që është në qeveri, por nuk mund të jetë kundër interesit të vet kombëtar”, tha Juratovic.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb