POGRADEC

Situata aktuale politike si edhe përgatitjet për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit ishin në fokus të Asamblesë të Zgjeruar të degës së PS Pogradec. I pranishëm në këtë takim, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh se prej 4 vitesh Pogradeci është në duar të gabuara.

“Për fat të keq ka katër vite që Pogradeci është në duar të gabuara.  Ne kemi një detyrë shumë të rëndësishme përpara. Sot jemi fiks 120 ditë nga dita kur ne do t’i kthejmë Pogradecit dinjitetin, moralin, përgjegjshmërinë dhe do ti japim një kryetar bashkie, i cili të punojë për Pogradecin, jo për bizneset e të vëllait të kryetarit. Kjo është një detyrë që ne kemi përpara.  Unë jam i sigurt se me Xhakollin, Shalsin dhe të gjithë ekipin këtu ne do ta fitojmë Bashkinë”, u shpreh i bindur Sekretari i Përgjithshëm i PS Taulant Balla.

Duke u ndalur në situatën e krijuar pas dorëzimit të mandateve nga opozita,  z.Balla theksoi se PS është e gatshme të dialogojë, por kurrsesi nuk mund të bëjë negociata në kurriz të demokracisë.

“Plot djem e vajza shqiptarë të përgjegjshëm për të ardhmen e vendit do të marrin përgjegjësinë e përfaqësimit në Kuvend. Besoj se java e ardhshme do të jetë një javë intensive në këtë drejtim.

Ne jemi votuar të çojmë përpara reformat për shtet, për punë dhe mirëqenie. Kur flasim për shtet, Reforma në Drejtësi është reforma kryesore. Prandaj erdhëm sot! Për t’ju thënë se ne nuk tërhiqemi, për t’ju thënë se zgjedhjet e përgjithshme do të jenë në vitin 2021, se Kuvendi ka legjitimitetin e duhur, se qeveria ka legjitimitetin e duhur dhe se jemi të gatshëm të dialogojmë me atë çfarë ka mbetur nga opozita në degradim. Kurrsesi ne nuk mund të bëjmë negociata në kurriz të demokracisë”, tha ai.

Në takim ishin të pranishëm edhe drejtuesit politikë të qarqeve Berat dhe Korçë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, si dhe dy deputetët e zonës Eduard Shalsi dhe Ilir Xhakolli.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb