TIRANË

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ishte në News24, në rubrikën “Opinion” për të folur për aktualitetin politik, vendimet e maxhorancës dhe protestat e opozitës. Balla tha se Kuvendi është legjitim dhe vijon punën e tij edhe pa praninë e opozitës. E sa i përket kodit zgjedhor tha se do i qëndrohet strikt rekomandimeve të OSBE-ODIHR dhe KE-së.

Ndërkohë ai akuzoi opozitën dhe liderët, Basha, Kryemadhi e Berisha se kanë dy qëllime me protestat e tyre, të bllokojnë finalizimin e reformës në drejtësi dhe çeljen e negociatave.

“Kuvendi tërësisht legjitim vijon axhendën e vet të punës siç e dini. Ne kemi thënë gjithmonë që ne jemi të hapur për konsensus me opozitën dhe e konsiderojmë shumë të rëndësishme për axhendën tonë europiane adresimin në kodin tonë zgjedhor të rekomandimeve të OSBE-ODIHR të tre palë zgjedhjeve.
Po ku ta gjejmë konsensusin duke pasur parasysh vetëvrasjen politike të opozitës. Ne kemi shprehur gatishmërinë për të punuar me të gjithë në funksion të një kodi zgjedhor që adreson rekomandimet e OSBE-ODIHR. Duam t’i rrimë rigoroz asaj që KE ka rekomanduar.
Komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore ka bërë një punë të shkëlqyer, mund ta kishim miratuar që në dhjetor. Ajo që Shqipëria duhet të bëjë në këto momenti është vijimi i reformave. Të gjithë shqiptarët e dinë se nuk është reforma zgjedhore që e ka nxjerrë PD-në nga parlamenti por frika nga implementimi i reformës në drejtësi.
Kjo sjellje e Bashës, Kryemadhit, Berishës ka të bëjë me përpjekjen e fundit për të ngritur stërkëmbëshin e radhës për vijimin e reformës në drejtësi. Sikurse kanë dështuar me përpjekjet e tyre nga 2016 do dështojnë dhe kësaj radhe sepse jemi në fazën finale të ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë. Lidershipi aktual i opozitës e konsiderojnë momentin historik të hapjes së negociatave si një shuplakë ndaj tyre dhe do duan të bëjnë gjithçka për të baltosur Shqipërinë në prag të vendimmarrjes”, deklaroi Balla.

Ai tha se të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë e konfirmojnë se Shqipëria është duke ecur në rrugën e duhur.
“Opozita ka si qëllim dëmtimin e rrugës europiane të Shqipërisë dhe çdo përpjekje për të dëmtuar reformën në drejtësi. Të dyja janë pa kthim mbrapa. Shqipëria duhet t’i kishte hapur negociatat në dhjetor të vitit të kaluar por ishte një vendimmarrje europiane”, tha Balla.

Për sa i përket protestave të opozitës, deputeti i PS deklaroi se ato nuk janë të popullit dhe se opozita kërkon pushtetin në tavolinë.
“Gjithë kjo përpjkje ka ato dy qëllime kryesore që ju thashë. Punimet e Kuvendit zhvillohen normalisht. Televizioni juaj ka transmetuar të gjitha protestat, edhe seancat patjetër sepse shqiptarët kanë nevojë të dëgjojnë që flasin për problemet e tyre. Këto nuk janë protestat e popullit. Gjithë shqiptarët dinë ta kuptojnë se kush realisht janë protestat e popullit. Kujtojmë protestat e studentëve. Opozita thotë dua pushtet në tavolinë”, u shpreh Balla.

Lidhur me akuzat për vjedhjen e zgjedhjeve dhe ndaj kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, Balla deklaroi se Dako i ka fituar zgjedhjet edhe me Berishën kryeministër.
“Ku u vodhën zgjedhjet? Në Durrës janë vjedhur zgjedhjet? Dako është zgjedhur në vitin 2007 kur Sali Berisha ishte në kulmin e pushtetit. Është zgjedhur në vitin 2011. Kur i vodhi zgjedhjet Vangjush Dako? Shqiptarët e dinë, Lulzim Basha do pushtet në tavolinë. Kërkoi dhe në 2017.
Të kesh Kryemadhin në krahë dhe të ankohesh për vjedhje votash nuk të shkon. Zgjedhjet në 2017 janë certifikuar nga ODIHR, sot për cilësinë e zgjedhjeve të gjitha institucionet e tjera marrin e lexojnë raportin e ODIHR dhe ODIHR ka certifikuar zgjedhjet. Basha i pranoi zgjedhjet e 2017. Nuk ka sot një provë që të bëjë pis rezultatin e zgjedhjeve të 2017. Lëri thashetheme jo i tha Niçja, e ëma, babai. Sa për dosje prokuroria ka detyrimin që t’i shkojë deri në fund, që ka përdorur para për të blerë votat. Por ju e dini në raportin e OSBE-ODIHR, në ka një rast për blerje votash është një rast i përfaqësuesit të LSI-së”, u shpreh Balla.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb