TIRANË

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se maxhoranca ka vite që e pret PD-në për reformën zgjedhore por se edhe kjo pritje ka një fund. Balla deklaroi në “Real Story” në News24 se PD nuk mund ta mbajë peng këtë reformë duke përmendur dhe atë çfarë ka kërkuar Bundestagu.


“Ne e kemi pritur PD-në me vite. Që në 2016 e presim PD-në të miratojmë reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Pritja e ka një fund. Dokumenti i Bundestagut e ka të qartë që reforma duhet miratuar me konsensusin e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. PD nuk mund ta mbajë peng”, deklaroi Balla.


Ndërkohë analisti Gjekmarkaj tha se maxhoranca ka gënjyer shqiptarët dhe duhet të kërkojë falje.
“Fatkeqësinë kjo mazhorancë po e kthen në fitore, fitoren në marrëzi dhe marrëzinë si gur në qafën e këtij vendi që po shkon honeve të panjohura!
Në bibël ka një shprehje! Një kohë për të mbjellë dhe një kohë për të korrë! Tani jemi tek të korrat! Kjo mazhorancë po korr hashashin përballë Europës si fund politik! Po korr rezultatin e korrupsionit të PPP-ve! Po korr imazhin e skandaleve! Po korr imazhin e zgjedhjeve moniste të diskredituara nga raporti i OSBE-ODIHR. Po korr dështimin e reformës në drejtësi. Po korr vdekjen e institucioneve dhe triumfin e absolutizmit. Gent Cakajt ndërpritjani qumështin për dënim këto ditë me të cilin ushqehet! Tha që si kemi premtuar negociatat e s’kemi pse largohemi! Gënjeu! Në çdo televizion dolën deklaratat e Ramës ku prej katër vitesh thotë u hapën, prej katër vitesh feston, prej katër vitesh dekoron!
Kjo mazhorancë ka gënjyer e duhet teë kërkojë falje. Ka dështuar dhe duhet të ikë! Zaevi nuk mund të mbajë përgjegjësi për shqiptaret! Ai më i përgjegjshëm ndaj nesh sesa kryeministri ynë”, tha Gjekmarkaj.


Ndërkohë kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla kujtoi vendimin e Këshillit Europian në vjeshtën e kaluar.
“Nxirrni vendimin e Këshillit Europian që thotë Këshilli Europian mori vendimin për çeljen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në qershor 2019”, u shpreh ai.

Duke komentuar deklaratat e bëra në të kaluarën, Balla theksoi se beteja më e vështirë ka qenë Gjermania.
“Së pari, për mua personalisht por edhe për grupin tim parlamentar dhe për qeverinë e kryesuar nga kryeministri Rama, beteja më e vështirë dhe më kuptimplotë ka qenë Gjermania. Pse? Sepse në fund të fundit, Gjermania ishte i vetmi vend që përfshin një vendimmarrje me parlament. Ju e keni ndjekur, beteja dhe në kuptim të numrave por edhe në nivelin e deklaratave. Në momentin që unë kam qenë i bindur që në maj kur është bërë ajo deklaratë dhe pastaj filloi kristalizimi përmes komunikimeve i vendimeve të tre grupeve politike që mbështetën Shqipërinë, që formësuan atë vendim. Në vlerësimin tim, Bundestagu që padyshim dha një po por edhe një mekanizëm, një matricë detyrash shtëpie që bashkëshoqëruan procesin”, u shpreh Balla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb