TIRANË

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla e cilëson absurd vendimin e Gjykatës së Durrësit për të mos i dhënë mandatin kryetares së bashkisë të dalë nga 30 qershori.
Në një postim në “Facebook”, Balla shpreh bindjen se pavarësisht kësaj ‘lajthitje antiligjore dhe antilogjike’ çdo kryetar i sapo zgjedhur do ta marrë detyrën.


“Keqardhje për vendimin absurd, arbitrar dhe nul të një gjyqtareje, e cila mori brohoritjet e atyre që në vijim të përpjekjes së dëshpëruar për kaos e pasiguri, nuk dinë më çfarë bëjnë.
Pavarësisht kësaj lajthitjeje anti-ligjore dhe anti-logjike të radhës, në respekt të vullnetit të popullit, çdo kryetar i sapo zgjedhur pas shpalljes së vendimit vetëm nga KQZ apo Kolegji Zgjedhor do ta marrë detyrën, do ta ushtrojë dhe do të japë llogari përpara Këshillit Bashkiak sikurse ligji e parashikon”, shkruan Balla.


Ai shkruan se ‘nuk ishte parë e dëgjuar në gjithë këto vite që një vërtetim i thjeshtë fakti të refuzohet duke dalë hapur në shkelje flagrante të ligjit mbi një vendim të formës së prerë’.


“Në Shqipëri sipas Kodit Zgjedhor mandatet e të zgjedhurve i jep vetëm KQZ dhe Kolegji Zgjedhor. Dhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë përfundimtare dhe të paankimueshme.
Sidoqoftë me keqardhje për ata që kanë humbur rrugën e arsyes, ne mbetemi të qetë dhe të vendosur në rrugën e hapur nga populli më 30 qershor”, thekson Balla.

Balla Fb
Balla Fb

(BalkanWeb)