TIRANË

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka mohuar se Partia Socialiste ka vjedhur vota pavarësisht përgjimeve të publikuara. Në emisionin “Dritare me Rudinën” në News24, Balla tha se zgjedhjet e 2017 u krijuan nga një qeveri ku portofolat më të rëndësishëm i kishte PD dhe se rezultati nuk u kontestuar për 18 muaj.

Para 21 shkurtit thatë se kjo djegia e mandateve është lojë?
Bie dakord me konstatimin tuaj se nuk e besoja se kanë shkuar kaq keq.


Do prisni kush të dalë nga lista e LSI dhe do bashkohet me ju? Si do veproni? Situata duket si pas zgjidhje?
Ajo që kemi thënë është se ne jemi në vitin e 6 të qeverisjes dhe në këto 6 vite janë 4 bojkote 6-mujore dhe më pas gjithmonë kemi gjetur marrëveshje për t’i rikthyer. Kujtojmë se teksa shqiptarët prisnin gjelin e detit në fund të 2014 unë bashke me zotin Bylykbashi dhe zotin Pollo u ulëm në një tryezë brenda kuvendit dhe bëmë një marrëveshje. Më pas ishte kur mezi prisnim të votohej vettingut, PD bojkotonte atëherë kryeministri Rama i ofroi gjithçka kërkonte për të hyrë në zgjedhje.

Në këtë vend zgjedhjet e përgjithshme bëhen njëherë në 4 vjet. Sa për legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve ne këtu kemi qenë dhe e dimë fare mirë se zgjedhjet u krijuan nga një qeveri ku portofolat më të rëndësishëm i kishte PD. Zgjedhjet u zhvilluan me 35 mijë komisionerë. Në asnjë procesverbal të një Qendre Votimi të vetme nuk ka asnjë shënim.

Në shtator në seancën e dytë apo të tretë të Kuvendit të zgjedhur nga këto zgjedhje nuk ka pasur asnjë lloj ankese apo mosnjohje të zgjedhjeve nga PD pastaj kaluan 18 muaj dhe jemi këtu ku jemi.

Raporti i OSBE-ODIHR thoshte se 20% e votave janë vjedhur?
Raporti i OSBE/ ODIHR ka në vetëm një prej faqeve të tij një rast që i referohet blerjes së votave nga një kandidat i LSI-së në Shkodër.
A ka pasur tentativa e blerje vote… por asnjëherë këto fenomene nuk kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
Edhe raporti që ju i referoheni ka dalë në përfundimin se të gjitha këto parregullsi nuk kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar.

Kanë dalë përgjime të grupit të trafikantëve të drogës të Shijakut që komunikonin me kryetarin e Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako për blerje votash. Kemi fakte të reja. Vihet në diskutim fitorja e 25 qershorit, me 74 deputetë them?

Deklaroj me përgjegjësi se PS nuk blen vota. Kemi marrë rreth 50 mijë vota më shumë se në 2013. Ajo që më vjen keq është kur shoh sot PD-në ose Bashën me në krah Monikën, kur unë kujtoj çdo natë procesin zgjedhor të 2017 kur kandidati i PD më shkruante pafund se ç’bënte LSI në Gramsh apo Cërrik. Këta e dinë çfarë rezultati zgjedhjesh marrin dhe nesër.

Kemi para zgjedhjet administrative. Unë uroj që procesi i vetasgjësimit të PD e LSI, të them të drejtën për PD si opozita kryesore më vjen keq, të mos shkojë drejt bojkotimit të zgjedhjeve vendore. Vetasgjësimi i tyre nuk shkon deri në këtë pikë. Zgjedhjet vendore janë këtë qershor zgjedhjet e përgjithshme në qershor 2021.

Është shumë larg 2021 me këtë situatë…
Është një krizë vetëm në mendjen e Lulzim Bashës. Do ju kisha lutur që të kishit transmetuar edhe pamje të tjera nga pjesë të tjera të Tiranës. Edhe sheshi Skënderbej që ishte pak metra larg protestës.

Kjo tregon që punonjësit e marrë me forcë nga Bashkia Kamëz, bashkia Vorë, bashkia Shkodër, ujësjellësi Shkodër mund të jenë edhe 3 mijë por këta 3 mijë nuk mund të marrin peng jetën ekonomike e sociale jo vetëm të kryeqytetit por dhe gjithë Shqipërisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb