TIRANË

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla është i bindur se raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë, i cili pritet të dalë në fund të majit do të jetë pozitiv dhe se vendi do të hapë bisedimet me BE-në këtë vit.

Në studion e News24, në rubrikën “Opinion”, numri dy i PS-së foli për situatën politike parazgjedhore dhe protestën e opozitës.

“Nuk jam këtu të komentoj hallet e Lulit. Nuk është protestë e halleve të shqiptarëve por e halleve të Monës, Lulit dhe Saliut. Halli i tyre është kundërvënia e vijueshme reformës në drejtësi. Nuk kanë për t’ia dalë t’i vendosin pengesa rugës evropiane të Shqipërisë”, theksoi Balla.

Ai tha se zgjedhjet e 30 qershorit do të jenë të lira dhe të ndershme dhe se qeverisja e socialistëve do iu sigurojë shërbimet qytetarëve edhe në ato bashki që deri tani janë drejtuar nga opozita.

“Sot është afati i fundit të depozitimit në KQZ të koalicioneve zgjedhore. Përfaqësuesit e PS sapo kanë mbërritur në KQZ për të depozituar koalicionin e përbërë nga 21 parti politike. Zgjedhjet e 30 qershorit janë tepër të rëndësishme. Bëhet fjalë për problematika dhe shërbime të rëndësishme me të cilat çdo familje shqiptare përballet. Jemi gati të ofrojmë zgjidhje edhe në zonat ku nuk ka qeverisur PS. Çdo shqiptar e di si është qeverisur në Tiranë apo Shkodër, ose në Fier e në Kukës. Më 30 qershor më në fund ne do të arrijmë të japim shërbimet që duan qytetarët. Jemi në diskutime me partitë që përfaqësojnë minoritetet për të identifikuar kandidatë që vijnë nga këto minoritete”, u shpreh Balla.

Sa iu përket kandidatëve ai tha se do të vendoset ne mbledhjen përfundimtare të Kryesisë dhe brenda afateve që është 13 maji.
“Javën e ardhshme. Më 11 përfundon afati për prezantimin e kandidatëve. Afati i fundit spostohet në datë 13 pasi 11 është e shtunë. Procedurat i ndjekim njëlloj edhe në këto zgjedhje. Një prej ditëve të para të javës së ardhshme do kemi dhe mbledhjen përfundimtare të Kryesisë, institucioni vendimmarrës. Janë të shumta kandidaturat dhe Kryesia do përcaktojë 61 kandidatët e saj. Zgjedhjet e 30 qershorit do të jenë të lira dhe demokratike. Kush mendon se mund të pengojë dhe një zgjedhës të vetëm kodi penal është i qartë”, tha ai.

Balla nuk mohoi dhe as pohoi nëse Vangjush Dako do të rikandidohet për Bashkinë e Durrësit. “Javës tjetër do ju informoj për vendimet e Kryesisë së PS. Vendimmarrjen e ka Kryesia”, tha Balla.

Lidhur me deklaratat se opozita kërkon të ndalë reformën në drejtësi, Balla deklaroi se prej muajsh ka pasur një përpjekje nga PD për të delegjitimuar institucionet demokratike në vend.
“Vetëvrasja politike që kërkoi të asgjësonte kuvendin. Kushtetuta i ka dhënë autoritetin Presidentit të dekretojë datën e zgjedhjeve. Kemi një qeveri legjitime. Dua të citoj zotin Palmer i cili theksoi se zgjedhjet janë demokratike edhe në rast se merr pjesë edhe vetëm një forcë e vetme politike.
Jam i gatshëm t’ju vë në dispozicion ligjet e pavotuara nga kjo opozitë. PD ka sulmuar institucionet e reja të drejtësisë. Më shumë se 65% e shqiptarë sot mendojnë që gjithë kjo prirje e kësaj opozite është për të kundërshtuar reformën në drejtësi. Përpjekja për të destabilizuar vendin bie në kundërshtim me nevojën që ka vendi për të qenë të gjithë bashkë për të marrë çeljen e negociatave”, tha Balla.

Ai akuzoi kryetarin e PD-së Lulzim Basha se ka hedhur baltë mbi vendin në kancelaritë europiane por se pavarësisht kësaj balta dhe katrani nuk ngjit në dokumentet e BE-së.
“Shqipëria do apo s’do Lulzim Basha, Kryemadhi apo Berisha, do t’i fillojë bisedimet për anëtarësim në 2019.
Sa baltë e katran ka hedhur Basha në kancelaritë e Europës këtë të keqe nuk ua ka bërë as armiku më i paepur shqiptarëve. Balta dhe katrani nuk ngjit më në veshët dhe dokumentet e BE-së. Raporti i KE-së në përfundim të zgjedhjeve europiane, më 29 maj do të jetë pozitiv. Shqipëria i ka përmbushur të gjitha detyrat e veta të shtëpisë për hapjen e bisedimeve”, tha Balla.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb