Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, së bashku me delegacionin që e shoqëron atë, zhvilluan një takim me Sekretarin e Shtetit, zotin Christian Lange në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Gjermanisë.


Temë kryesore e këtij takimi ishte ecuria e Reformës në Drejtësi. Përfaqësuesit e Shqipërisë në takim e njohën zotin Lange me ecurinë e implementimit të Reformës në Drejtësi, ecurinë e kënaqshme të Vetting-ut që paraprin ngritjen e institucioneve të reja KLGJ dhe KLP, si dhe të BKH dhe SPAK. Nga ana e tij zoti Balla u shpreh se ka bindjen që procesi i Vettingut në radhët e drejtësisë është duke dhënë rezultate të kënaqshme në rrugën tonë të forcimit të shtetit të së drejtës.


Sekretari i Shtetit z. Lange vlerësoi ecurinë e deritanishme të Reformës në Drejtësi. Gjithashtu ai shprehu bindjen se përfundimi i kësaj reforme dhe ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë, do të shërbejnë për të forcuar edhe më tej luftën kundër krimit të organizuar.


Në fund të takimit z. Lange shprehu mbështetjen e Qeverisë gjermane në përmbushjen e reformave, si mjeti i domosdoshëm në rrugën evropiane të Shqipërisë.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb