TIRANE- Seanca e ballafaqimit mes Emiljano Shullazit dhe Ylvi Beqajt, i cilësuar si dëshmitari kyç për zbardhjen e kalimit të 20% të ish-hotel Vollgës në pronësi të Emiljano Shullazit, i ka befasuar të gjithë.


Gazetarja Klodjana Lala raporton për BalkanWeb se Beqaj e Shullazi nga deklaratat e bëra në sallën e gjyqit treguan se njiheshin mjaft mirë me njëri-tjetrin, madje kanë përmendur shpeshherë emra të njohur të politikës.


Ajo thotë se për histori të ndryshme ata kanë përdorur emra ish-ministrash e ministrash aktualë.


Një emër i përmendur prej tyre është edhe ai i ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli, të cilës, sipas Shullazit, biznesmeni Ylvi Beqaj i ka mundësuar një udhëtim në Arabinë Saudite. Një fakt i tillë mësohet të jetë mohuar nga Ylvi Beqaj.

Shullazi: A e ke çuar ti zonjën Topalli për vizitë në Arabi?

Ylvi Beqaj:
Jo është sajesë

Shullazi: Mua më ke rrëfyer se zonja Topalli harxhonte shumë shampo dhe blinte dy gjëra në çdo dyqan që hynte

Të martën që vjen pritet të thirret sërish për ballafaqim Emiljano Shullazi dhe Ylvi Beqja.

Ylvi Beqja, është dëshmitari kyç kundër Emiljano Shullazit dhe të pandehurve, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi.

Pesë të pandehurit akuzohen për gjobëvënie ndaj biznesmenëve, Ylvi Beqja, Jani Zaka e Adriatik Kërçuku, shkatërrim të pronës me tritol, krime të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe kërcënimin e profesor Mynyr Konit.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb