TIRANE- Më shumë se 2 muaj pas hekurave, me akuzën për armëmbajtje pa leje, Ismail Morina do të lërë sot qelinë. Gjykata e Lartë ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.

Gazetarja Klodiana Lala e cila ka ndjekur seancën tha se Avokati i Morinës, Ardian Visha ka këmbëngulur për lirimin e klientit të tij me arsyetimin se është një rast sui generis, i veçantë për drejtësinë shqiptare dhe se dy armët me të cilat u kap ishin për vetëmbrojtje. Nga ana tjetër prokurori ka kërkuar sërish arrest me burg, pasi sipas tij është e pajustifikueshme fakti që Ismail Morina kishte dy armë pa leje me vete.

Në seancën e sotme në Gjykatën e Lartë, avokati Ardian Visha paraqiti një kontratë qiraje, ku evidentohej se Ballist Morina ka marrë një ambient me qira në Durrës, ku edhe do të qëndrojë gjatë masës “arrest shtëpie”. Kjo kontratë ka qenë një garanci më shumë për trupin gjykues për të lehtësuar masën e sigurisë ndaj Ballistit. Kjo, pasi familja e Ismail Morinës jeton në Itali. Ai është i martuar me një avokate italiane, me të cilën ka 2 fëmijë.

Ismail Morina, i njohur ndryshe si Ballisti u arrestua më 7 tetor, një ditë para ndeshjes Shqipëri-Serbi. Ai u kap në automjetin e vëllait të tij me dy armë, që sipas tij i kishte për vetëmbrojtje nga serbët. Ballisti u bë i njohur pas ngritjes së dronit me flamurin e Shqipërisë në kufijtë etnikë më 14 tetor 2014 në stadiumin e Beogradit.

(m.k/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb