Gjykata e Tiranës vendosi që të japë masën ‘detyrim paraqitje’ për ish-deputetin e PD-së Klevis Balliu dhe disa shtetas të tjerë, të arrestuar gjatë protestës së dy ditëve më parë te ‘Unaza e Re’.

Përmes një deklarate për shtyp, partia ‘Zgjidhja’ e dënon arrestimin e Balliut dhe të protestuesve si të motivuar politikisht.

“Ish deputeti Balliu ka qëndruar në ballë të protestës dhe ka denoncuar korrupsionin shumëmilionësh dhe falsifikimet e dokumenteve nga qeveria në tenderin e ‘Unazës së Re’. Përpara se të rrahë gjoksin për këto masa antiligjore ndaj protestuesve dhe ish-deputetëve, si masë ndëshkuese ndaj atyre që bllokojnë rrugët, Rilindja të kujtojë vitin 2009 kur bllokonte akset rrugore, digjte goma makinash, bllokonte për tri muaj bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ me grevë urie në pranverën 2010 dhe një vit më vonë përleshej me policinë te ish-ndërtesa e KQZ-së, pas vendimit për zgjedhjet e 8 majit 2011, që i njihte humbjen ktyetarit të bashkisë Rama. Protesta te ‘Unaza e Re’ dhe në çdo cep ku qytetarët reagojnë kundër prishjeve pa dëmshpërblim, janë të ligjshme dhe të drejta. Ato nuk janë politike, por jetike dhe qeveria duhet të tërhiqet nga këto prishje, pas të cilave fshihen afera korruptive”,- thuhet në deklaratë.

Partia e Koço Kokëdhimës ndër të tjera, i kërkon trupit diplomatik të akredituar në Tiranë të ushtrojë ndikimin e vet për ndalimin e përndjekjes ndaj protestuesve të Astirit dhe të ish-deputetëve që janë në krah të tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb