Ballo me maska e Giuseppe Verdit vjen në teatrin shqiptar të Operas nga Teatri i Parmës me një staf shqiptaro-italian, por edhe një artiste nga Kievi, në datat 1 deri 4 qershor në kuadër të javës Italiane të Kulturës.
“Opera ballo me maska ka në brendësi të gjitha emocionet njerëzore, ka komplotin politik, forcën e dashurisë, acidin e xhelozisë, vlerën e moralit të fortë”, tha Zana Çela, drejtore e Operas.
“Më vjen mirë që Shqipëria dhe teatrot tonë po vendosen në arenën e bashkëprodhimit dhe kjo ka qenë një nismë që e kemi filluar kohë me parë, siç tha edhe drejtoresha e bashkëprodhimit”, u shpreh ministrja e Kulturës Elva Margariti.
“Me këtë prodhim mund të ëndërrojmë. Është një produksion i vjetër që ruaj magjepsjen dhe që na jep mundësinë me skenat dhe kostumet, të imagjinojmë një botë ku mund të ketë lindur kjo histori dashurie klasike të një burri që dashuron gruan e mikut më të mirë”, tha Mariana Bianchi, regjisore e shfaqjes.
Në daljen e parë publike së bashku me drejtoreshën Çela, prej kur ministria ka hapur konkurs për postin e drejtuesit të Operas, çka u ndoq me tension, ministrja u pyet për numrin e konkurrentëve dhe komisionin përzgjedhës.
“Mund të të duket e pabesueshme, por nuk e di numrin. Më 7 qershor do kemi paraqitjen e kandidatëve para komisionit. Komisioni do të ishte i udhës të jetë me shqiptarë e të huaj”, deklaroi Margariti. Në konkurs merr pjesë edhe Çela që kërkon një mandat të dytë.