Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një sërë takimesh në Krujë me qytetarë dhe përfaqësues të bizneseve, ku u ndal veçanërisht te sektori i fasonëve. Gjatë fjalës së tij, ai akuzoi zv.kryeministren Belinda Balluku dhe kryeministrin Edi Rama se kanë përvetësuar 12 miliardë euro të destinuara për infrastrukturën rrugore.
“Balluku ka administruar 12 miliardë euro për rrugët. Nga 2006 deri në 2010 u ndërtuan 11,300 kilometra rrugë dhe mijëra të tjera në fshatra me vetëm 3.8 miliardë euro. Sot, pas gjithë këtyre miliardave, nuk ka rrugë. Paratë janë në xhepat e tyre, njësoj si me inceneratorin e Tiranës,” tha Berisha.
Ai theksoi se me ardhjen e PD-së në pushtet, këto para do të rikuperohen dhe do t’u kthehen qytetarëve, duke e quajtur këtë një garanci të fortë. “Fondet ekzistojnë, nuk mungon asnjë qindarkë. Do të vendosim ligjin, por së pari duhet ta zbatojë vetë shteti,” u shpreh Berisha.
Duke komentuar situatën në administratë dhe në tregun e punës, ai theksoi edhe mungesën e regjistrimit të punonjësve, duke akuzuar qeverinë për hipokrizi. “U thoshin pensionistëve se fajin e kanë bizneset që nuk regjistrojnë punëtorët. Por ku janë punonjësit më të paregjistruar? Në administratën shtetërore. Kanë vetëm një model – vjedhjen,” përfundoi Berisha.