Një prej protestuesve për rrugën Thumanë-Kashar, që kërkon hyrje-dalje në këtë rrugë, tha se kryeministri Edi Rama, zv kryeministrja dhe ministrja e Energjisë Belinda Balluku nuk kanë kthyer asnjë përgjigje ndaj kërkesave të banorëve të Krujës, Fushë Krujës e Thumanës.
Protestuesi tha se pa hyrje-dalje në autostradë, penalizohen 700 biznese që ndodhen në zonën e Krujës dhe gjithashtu bie vlera e pronës në këtë zonë.
“Kërkesat tona janë vetëm një: Të ketë hyrje-dalje në autostradë. Kishim informacione se rruga do mbyllej dhe rruga u mbyll. Ne duam hyrje-dalje se na dëmton bizneset, dëmton Krujën dhe rrethinat. Protestat do të vazhdojnë. Kanë dalë informacione se rruga do hapet, por ne nuk besojmë pa e parë të firmosur e zeza në të bardhë. Ne bëjmë përgjegjës kryeministrin, zv kryeministren Balluku, drejtorin e Rrugëve.
Heshtja e tyre është heshtje varri. Kjo është situata dhe protesta do të vazhdojë. Janë 700 biznese që penalizohen. Bizneset tregtinë e tyre e zhvillojnë në këtë rrugë dhe t’i mbyllësh, ti i dëmton jashtë mase. Turistët, që duan të vijnë në Krujë, duhet të ecin nëpër fshatra dhe të aksesojnë qytetin e Krujës. Edhe pronës i ka rënë vlera”, tha protestuesi.
(Balkanweb)