Në rubrikën “Çështja e Ditës” në News24, analisti Ben Andoni ka diskutuar fillimin e sesionit të ri parlamentar dhe zhvillimet e pritshme në skenën politike shqiptare.

Andoni ka ofruar një vlerësim të thellë mbi strategjitë dhe prioritetet e Partisë Socialiste, duke qenë se kjo forcë zhvilloi një takim joformal në Dajt së fundmi dhe pritet të mbajë asamblenë këtë fundjavë.

Sipas Andonit, PS po e orienton fokusin e saj drejt një mandati të katërt dhe është e angazhuar në zhvillimin e strategjisë së tyre të komunikimit.

Sa u përket ndryshimeve të mundshme që mund të prekin PS në asamblenë e ardhshme, ai ka ngritur shqetësime mbi rolin e Zëvendës Kryeministres Belinda Balluku, duke sugjeruar se ajo duhet të zëvendësohet për të adresuar disa problematika të paraqitura nga vartësit e saj me SPAK dhe për të ofruar një impuls të ri për zhvillimet në vend.

“Me gjithë problematikat që kanë paraqitur vartësit e saj me SPAK dhe përfoljet që i janë bërë asaj vetë, si dhe për të dhënë një impuls tjetër zhvillimeve në vend, është e nevojshme një ndryshim në këtë pozicion. Rama duhet të tregoje që ekzekutivi i tij ka një fytyrë tjetër dhe të adresojë shqetësimet e qytetarëve dhe të përmirësojë performancën e qeverisë,” tha ai.

Andoni gjithashtu ka shprehur pritshmëri për drejtuesit politikë të qarqeve, duke theksuar se do të jetë e rëndësishme të vlerësohet se kujt do t’i besohet pesha në zgjedhjet e ardhshme. “Do të presim të dielën tjetër për të parë se si do të formohen drejtuesit politikë të qarqeve dhe se kush do të marrë përgjegjësinë për zgjedhjet,” përfundoi Andoni.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb