Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, e ftuar në studion e News24 ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë për ndërtimin e një fabrike prodhimi armësh në zonën e Shkozës, duke e cilësuar atë një kërcënim serioz për banorët dhe mjedisin.
Sipas Çupit, projekti i firmosur nga zv/kryeministrja Belinda Balluku është në kundërshtim me parametrat e sigurisë dhe përbën një rrezik të madh për komunitetin e zonës ku ajo në zgjedhjet e 11 majit kandidon për deputete.
“Në mes të Tiranës, pranë shtëpive dhe institucioneve, nuk mund të ndërtohet një fabrikë armësh. Banorët janë të trembur dhe nuk ka garanci për sigurinë e tyre,” tha ajo.
Deputetja rikujtoi debatin e zhvilluar në korrik të vitit 2024 në Komisionin e Ligjeve, ku ky projekt u diskutua si pjesë e një nisme më të gjerë për rihapjen e ndërmarrjeve të vjetra të prodhimit të armëve.
Çupi kërkoi transparencë dhe një rivlerësim të vendimit, duke nënvizuar se ndërtimi i një fabrike të tillë në një zonë të populluar mund të ketë pasoja të rënda.
“Ky është në cenim të parametrave, distancave dhe një histori e paralajmëruar një vit më parë në korrik të vitit 2024 ka pasur një debat për këtë rast në Komisionin e Ligjeve. Së pari ka një rrezik për jetën e banorëve. Të mos harrojmë se ka shtëpi, banesa dhe institucione dhe është jashtëzakonisht e rrezikshme për jetën e banorëve. Nuk mund të ndërtohet një ndërmarrje e prodhimit të armëve në mes të Tiranës. Banorët janë të trembur! Ka një rrezikshmëri të jashtëzakonshme me mosrespektimin e parametrave me ndërtimin e kësaj ndërmarrjeje në Shkozë. Nëse do rikujtojmë prezantimin e këtij projekti vitin e kaluar, u diskutua hapja e ndërmarrjeve të vjetra të prodhimit të armëve”, tha ajo.
(BalkanWeb)