Konektiviteti global si dhe kuotat multilaterale për transportin rrugor të mjeteve transportuese të tonazhit të lartë ishin në fokus të Ministerialit të Forumit Ndërkombëtar të Transportit i cili u mbajt në Lejpcig të Gjermanisë me pjesëmarrjen e 59 ministrave nga vendet anëtare.


Në Ministerial ka marrë pjesë edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.


Gjatë diskutimeve të mbajtura, disa prej vendeve anëtare u shprehën se, duke konsideruar rritjen e vëllimit të tregtisë dhe zbatimin e plotë të Kartës së Cilësisë, zgjidhja më e mirë do të ishte heqja e kufizimeve mbi sasinë e licencave duke krijuar një treg të përbashkët të hapur që do i japë shtysë zhvillimit të industrisë së transportit ndërkombëtar.


Në fjalën e saj, Ministrja Balluku theksoi se heqja e rezervimeve territoriale do të përbënte gjithashtu një avantazh të shtuar që do të nxiste rritjen e operacioneve ndërkombëtare të transportit, e veçanërisht për Shqipërinë pasi pozicioni i saj gjeografik është shumë i ndjeshëm ndaj këtyre kufizimeve.

Rachel Kyte, Drejtoreshë Ekzekutive e Energjisë së Qëndrueshme dhe Përfaqësuese e Veçantë e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Energjinë e Qëndrueshme, duke ju drejtuar ministrave të Transporteve nënvizoi se është e rëndësishme që ata të bashkëpunojnë me strukturat e duhura të energjisë me qëllim dekrabonizmin e transportit. Në këtë pikë, Kyte, vlerësoi Shqipërinë pasi ka një ministri që i përfshinë të dyja sektorët Transportin dhe Energjinë.

“Sistemet e transportit janë të ndërlidhura dhe mbështeten pashmangërisht tek sistemet e energjisë. Sfida për ju Ministra të Transportit është të bashkëpunoni me strukturat e duhura të energjisë me qëllim final dekarbonizimin e transportit. Në fakt kjo është një sfidë për disa nga ju, pasi Shqipëria në veçanti – tha Kyte – ka një Ministri Transporti dhe Energjie, e cila mendoj se është një arritje e madhe, pasi ky bashkim mundëson bashkërendimin e proceseve politikbërëse dhe vendim-marrëse për zhvillimin e një transporti të qëndrueshëm që mbështetet në energji të rinovueshme”, u shpreh Kyte.

Vendet anëtare të Forumit Ndërkombëtar të Transportit votuan për të bërë pjesë të ITF-së edhe Tunizinë. ITF është e vetmja organizatë ndërqeveritare me mandat global për të gjitha mënyrat e transportit.

(BalkanWeb)