Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, që pas orëve të para të lëkundjeve të tërmetit, ndodhet në terren pranë familjeve të dëmtuara. Ministrja Balluku, ishte në Durrës, një nga zonat më të dëmtuara gjatë lëkundjeve të tërmetit që u regjistrua në orët e para të mëngjesit të së martës në vend.

Në një prononcim për mediat, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, garantoi se të gjitha strukturat e shtetit ndodhet në terren për të përballuar këtë situatë të vështirë. Duke ju referuar situatës në qytetin e Durrësit, ministrja Balluku kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për të liruar rrugët me qëllim lehtësimin e qarkullimit për autoambulancat apo mjetet e tjera të emergjencës.

“Kemi disa problematika që duhet t’ i afdresojmë. Është bllokimi i rrugëve të Durrësit. Në këto momente për shkak të panikut që njerëzit kanë, ne e kuptojmë shumë mirë që qytetarët e Durrësit janë të gjithë në rrugë, por ju lutem makinat nuk duhen përdorur më në këtë moment pasi po vështirësohet aksesi i ambulancave dhe nuk po aksesojmë dot spitalet”, u shpreh ministrja Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u bëri thirrje qytetarëve që të aksesojnë disa nga pikat e ngritura ku mund të sistemohen përkohësisht, teksa njoftoi gjithashtu se aeroporti i Rinasit është në funksion të plotë dhe po vijon normalisht punën.

“Aeroporti i Rinasit është funksional. Ka pasur disa dëmtime materiale, të cilat nuk ndikojnë operimet. Konfirmojmë që aeroporti i Rinasit funksionon, nuk ka asnjë problematikë përsa i përket fluturimeve, nuk ka pasur ndërprerje”, theksoi Balluku.

Ndërkohë sa i takon autostradës Tiranë-Durrës, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi se ARRSH ka vendosur mbylljen e mbikalimit të Shkozetit, për arsye sigurie.

“Një problematikë që kemi në autostradën Tiranë-Durrës është mbikalimi i Shkozetit, i cili është mbyllur tashmë nga ARRSH-ja, për shkak të kushteve që janë shkaktuar pas dëmtimit të tërmetit për të qenë të sigurt. Nuk ka në dukje dëme materiale por ne e konsiderojmë një pikë jo shumë të sigurt për kalimin e automjeteve ndaj dhe e kemi bllokuar”, nënvizoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: