Emisioni investigativ Vetting në News24

Emergjencë energjetike pa arsye? Në tetor 2021 u shpall situata e Emergjencës Energjetike për shkak të mungesës së prodhimit të energjisë kryesisht prej mungesës së reshjeve. Kjo situatë qëndroi aktive deri me 31 dhjetor të vitit 2023 përmes dy vendimeve të nënshkruara nga zv/kryeministrja Belinda Balluku, edhe pse ky vit ka qenë me prodhim pozitiv.

Për 6 mujorin e parë të 2023, KESH ka arritur të prodhojë, duke mbuluar të gjitha nevojat e vendit.

Prodhimi i rregullt i energjisë bie ndesh me vendimin e 26 korrikut të vitit të shkuar nga zëvendës kryeministrja Balluku për zgjatjen e emergjencës së energjisë kur realisht nuk ka pasur krizë.

Sipas ekspertëve, lufta Ukrainë-Rusi nuk qëndron si motiv për zgjatjen e emergjencës energjetike pasi nuk cenohej siguria kombëtare e Shqipërisë në asnjë rrethanë.

“Në vitin 2023 ishte e pakuptimtë zgjatja e emergjencës pasi Shqipëria prapë rezultoi një vend neto eksportues, çmimi në treg ra, arriti në vlerën 107 euro/MWH. Pra, nuk kishte më kushte për të patur një emergjencë”, deklaroi eksperti Gradeci.

Kjo shkelje nga Balluku është në kundërshtim me Vendimin e Këshillit të Ministrave dhe në të përfshihet edhe Ergys Verdho si administrator. Kjo pasi të dhënat e siguruara nga raporti i Entit Rregullator të Energjisë zbulojnë se KESH ka prodhuar dhe ka shitur energji, pra është net eksportues.

ERE nxirret jashtë loje
Nga ana tjetër, Enti Rregullator i Energjisë, si palë mbi palët, kërkon llogari nga trekëndëshi OSHEE – OST – KESH për deklarimet e tyre, të cilat me sa duket nuk janë të plota. Në raportet e ERE ka mangësi në dokumentim pasi nuk ka fakte konkrete nga ana e institucioneve kryesore, duke krijuar mungesë transparence për informacione zyrtare, të detyrueshme për publikim.

Sipas ekspertit të energjisë, Klodian Gradeci, te raporti i ERE-s nuk gjenden të dhëna për energjinë rinovues.

“Është detyrë e OSHEE t’i raportojë në ERE sepse të gjitha këto kapacitete të instaluara janë të lidhura në rrjetin e OSHEE-së dhe nuk raportohen ndërkohë, këto zënë një volum të rëndësishëm, në konsumin e vet prodhuesve, të cilët I kanë vetinvestuar me paratë e tyre, këto kapacitet dhe përfitojnë nga energjia e përfituar nga vet ata. Por nëse këto do të raportoheshin, atëherë do të duhet të rishikohej edhe bilanci i OSHEE-së, edhe raporti i OSHEE-së, do të duhet të rishikohej edhe niveli i humbjeve teknike të OSHEE-së sepse këto kapacitete instaluese janë direkte në pikën e konsumit dhe pikën e ngarkesës, që do të thotë dhe humbjet në këtë rast janë të papërfillshme, janë gati 0”, tha inxh. Gradeci për “Vetting”.

Eksperti Gradeci shtoi se nëse këto do të raportoheshin, do të zbulohej se ka disa boshllëqe në raportet që OSHEE dërgon.

Në këto kushte rezulton se Enti Rregullator i Energjisë, nuk arrin të bëjë pasqyrime të sakta dhe profesionale jo vetëm për qytetarët, por edhe për parlamentin, siç e ka edhe detyrim ligjor.

Mos përmbushja e kësaj detyre nga ERE duket se është edhe një arsye më tepër se përse ka një mungesë kaq të lartë të transparencës me fondet që ka në zotërim trekëndëshi OSHEE-OST-KESH.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb