TIRANE – Babai i Fatmir Pjetrit, i shpallur në kërkim disa ditë më parë, nën dyshimin se është pjesë e bandës së “babagjyshëve”, rrëfen për “News24” pretendimin e tij për akuzat e ngritura ndaj të birit, si dhe sjelljen brutale të policisë, e cila sipas tij, i ka mbyllur një biznes të ligjshëm.

“Ne kemi punuar 12 vjet në Greqi, unë kam qenë sipërmarrës ndërtimi. Kemi punuar dhe të gjitha lekët që kam fituar në Greqi i kam me dokumente. Me këto para erdhëm në Shqipëri dhe hapëm një biznes. Ky biznes është një biznes i veçantë, japim hua me garanci.”- shprehet Gjin Pjetri.

Pronari i një biznesi në zonën e “21 Dhjetorit”, me emrin “Japim hua me garanci”, Gjin Pjetri rrëfen se malli që policia deklaron se ja ka sekuestruar bandës së “babagjyshëve” është marrë në dyqanin e tij të ligjshëm dhe ky mall u përket klientëve të tij.

“Unë detyrohem të vij në televizion sepse nuk kam besim tek Policia e Shtetit. Ai thotë sekuestruam 7 iphone, 10 iphone, 7 varëse. Po si e thotë i sekuestruam dhe ua gjetëm këtyre personave babagjyshëve, në një kohë kur i kanë marrë në dyqanin tim. Dhe këto janë mallra të klientëve të mi.”- deklaron Pjetri.

Gjin Pjetri rrëfen se djalin e tij e kanë shoqëruar disa herë në polici, për ta pyetur rreth grabitjeve të argjendarive dhe herën e tretë e kanë dhunuar.

“E kanë thirrur dhe e kanë pyetur djalin tim, a mos ka sjellë kush flori në dyqanin tuaj. Herën e tretë, kur është bërë një thyerje në Maqedoni, djalin tim e kanë mbajtur nga ora 9 e darkës deri të nesërmen në orën 5 pasdite. Për arsye se ka biznesin e tillë që njerëzit mund të shesin flori e gjëra. Herën e tretë kanë dyshuar se mos është edhe pjesëtar grupi, edhe e kanë rrahur djalin për me tregu, me tortura. Djali më ka ardhur në shtëpi me tre brinjë të thyera. Unë i njoh këta persona, janë oficerë të lartë të policisë.”- u shpreh Pjetri.

Babai i 29-vjeçarit shton se policia i ka bastisur disa ditë më parë shtëpinë, pa asnjë dokument. Nën frikën se policia mund të sillet në mënyrë harbute, ai ka nxjerrë jashtë vendit edhe djalin tjetër.

“Ne jemi me stres, tash 3 netë nuk po flemë gjumë. U detyrova të nxjerr edhe djalin tjetër jashtë shtetit, në mënyrë të paligjshme nga frika se po ma rreh policia dhe këtë. E thirrën një ditë dhe këtë të voglin se punon aty.”- shprehet Gjin Pjetri.

Sipas deklaratës zyrtare të Policisë së Shtetit, 29-vjeçari Fatmir Pjetri është shpallur në kërkim si i dyshuar i “bandës së babagjyshëve”, bandë kjo e dyshuar për vjedhjen e qendrës tregtare TEG dhe 12 vjedhjeve të tjera me dhunë brenda dhe jashtë vendit.
9er.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: