TIRANE- Gjykata e Tiranës ka caktuar sot masën e sigurisë “arrest me burg” për të ashtuquajturën “Banda e dinamitit”. Në seancën e sotme, gjykata vendosi të lërë në burg ndërkohë që zhvillohen hetimet të arrestuarit e datës 24 dhjetor.

Bëhet fjalë për te ndaluarit e operacionit te koduar “Dinamiti”, gjatë të cilit u arrestuan në flagrancë 4 persona: Lulzim Mesi, 26 vjeç, banues në Krujë, Fatos Mesi, 23 vjeç, Nezir Mesi, 28 vjeç, të dy banues në Krujë, dhe Marjan Karaj, 34 vjeç, lindur në Krujë dhe banues në Vlorë.

Gjatë arrestimit të tyre janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 armë zjarri kallashnikovë, 20 arka me lëndë plasëse dinamit, gjithsej 2000 kallëpe, me peshë totale 400 kg, 298 kuti me kapsolla elektrodetonatore, 5960 copë të tilla, 18 kuti me kapsolla detonatore, 1800 copë, si dhe 100 metra fitil zjarrpërcjellës.

Arrestimi i katër personave dhe sekuestrimi i sasisë së eksplozivit është bërë pikërisht në momentin e takimit mes të dyshuarve dhe agjentit të infiltruar nga ana e prokurorisë dhe policisë. Angazhimi i prokurorisë dhe policisë në kapjen e grupit në fjalë ka ardhur pas të dhënave që tregonin se lënda plasëse që tregtohej nga të dyshuarit ishte identike me tritolin e përdorur në disa ngjarje kriminale në Tiranë dhe në Vlorë. Nderkohe një agjent i infiltruar prej muajsh brenda grupit kriminal mundesoi kapjen e një sasise dhe zbulimin e bandes.

(ma.ar/Panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb