Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi masat e sigurisë “arrest në burg” për ish-gjyqtaren e Elbasanit, Pajtime Fetahu dhe Marsel e Xhino Roka, vëllezërit e drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roka. Vendimet e Apelit u lanë në fuqi në kuadër të dosjes së Suel Çelës.

Ndërkohë, Apeli i GJKKO ka rrëzuar masë e detyrimit të paraqitjes për gazetarin Elton Qyno.

Njoftimi i Apelit të Posaçëm

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Dhimitër Lara, sot më 14.01.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 2 akti, datë 06.01.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personave nën hetim M.R., Xh.R., E.Q., P.F., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 138, datë 22.11.2024 dhe nr. 146, datë 27.11.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

Miratimin e vendimit n.138 datë 22/11/2024 dhe vendimit n.146 datë 27/11/2024 të Gjyqtarit që shqyrton kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të hetuarit apelues z.M..R., z.Xh.R. dhe znj.P.F..

Shfuqizimin e vendimit n.138 datë 22/11/2024 dhe vendimit n.146 datë 27/11/2024 të Gjyqtarit që shqyrton kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të hetuarin apelues z.E.Q..

Si funksiononte rrjeti i trafikut të kokainës
Organizata ka zbatuar një skemë komplekse të mbyllur të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës duke bashkuar me grupe të ndryshme kriminale me lidhje të forta në Amerikën Latine. Organizata e porosiste lëndën narkotike nga grupe të strukturuara kriminale shqiptare të lidhur me grupe kriminale vendase në Amerikën Latinen.

Më pas, sasia e lëndës narkotike transportohej e fshehur në produkte të ligjshme dhe tranzitohej në disa porte europiane me destinacion shtetet si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda, nga ku nxirrej, trafikohej dhe shitej me shumicë nga anëtarët e organizatës drejt tregun europian i narkotikëve. Pjesa më e madhe e ngarkesave lëvizte me kontejnerë në porte të mëdha si Antverp, Roterdam etj., të cilët shpesh shërbenin si pika kyçe për trafikun e saj në tregun evropian. Gjithashtu ka pasur tentativa për të kryer transport të lëndëve narkotike përmes aeroporteve të Belgjikës dhe Holandës.

Ku investohen paratë e krimit
Një pjesë e të ardhurave nga ky aktivitet kriminal investohej në blerjen e lëndës narkotike, në gjendje cash-i në Shqipëri, në biznese në dukje të rregullt. Për të mbështetur infrastrukturën operative të organizatës dhe blerje influence në segmente të veçanta të sistemit të drejtësisë, policisë, medias dhe biznesit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb