Prokuroria e Posaçme ka zbardhur detaje të reja nga operacioni i ndërmarrë dje në Elbasan me goditjen e grupit të Suel Çelës. SPAK ka zbuluar se grupi financohej nga paratë e përfituara nga trafiku i drogës.
Një njoftim theksohet se ky grup kishte lidhje të forta me grupe kriminale në Amerikën Latine, nga ku nisej edhe ngarkesa e lëndës narkotike e cila më pas transportohej drejt Europës.
“Organizata ka zbatuar një skemë komplekse të mbyllur të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës duke bashkuar me grupe të ndryshme kriminale me lidhje të forta në Amerikën Latine. Organizata e porosiste lëndën narkotike nga grupe të strukturuara kriminale shqiptare të lidhur me grupe kriminale vendase në Amerikën Latinen. Më pas, sasia e lëndës narkotike transportohej e fshehur në produkte të ligjshme dhe tranzitohej në disa porte europiane me destinacion shtetet si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda, nga ku nxirrej, trafikohej dhe shitej me shumicë nga anëtarët e organizatës drejt tregun europian i narkotikëve. Pjesa më e madhe e ngarkesave lëvizte me kontejnerë në porte të mëdha si Antverp, Roterdam etj., të cilët shpesh shërbenin si pika kyçe për trafikun e saj në tregun evropian. Gjithashtu ka pasur tentativa për të kryer transport të lëndëve narkotike përmes aeroporteve të Belgjikës dhe Holandës”, shprehet SPAK.
Nga hetimet ka rezultuar se ky grup i “investonte” paratë në blerjen e më shumë sasi droge, në korruptimin e sistemit të drejtësisë, policisë, medias dhe biznesit si dhe në blerjen e bizneseve të cilat në dukje ishin të rregullta por që shërbimin për pastrimin e parave.
“Një pjesë e të ardhurave nga ky aktivitet kriminal investohej:
a. Në blerjen e lëndës narkotike
b. Në gjendje cash-i në Shqipëri
c. Në biznese në dukje të rregullt
d. Për të mbështetur infrastrukturën operative të organizatës dhe blerje influence në segmente të veçanta të sistemit të drejtësisë, policisë, medias dhe biznesit
Për këtë operacion falenderojmë Europol, Eurojust, autoritetet e drejtësisë dhe ato ligjzbatuese të; Francës, Holandës, Belgjikës dhe autoritetet italiane (Ufficio del’ Esperto per la Sicurezza a Tirana, Squadra Mobile di Milano)”, njofton Prokuroria e Posaçme.
(BalkanWeb)