TIRANE – Prokuroria pretendon se vrasësi i Brahim Manit në Shkodër është personi që hodhi rrobat e tij në oborrin e një banese, ditën e ekzekutimit. Për të verifikuar pretendimet e saj, prokuroria ka kërkuar të merret parasysh dëshmia e një fëmije 14-vjeçar, i cili pohoi se dy vjet më parë e pa personin që hodhi rrobat në një oborr pranë banesës së Manit.

Fëmija është pyetur edhe dy vjet më parë, por në atë kohë kishte deklaruar se nuk mbante mend mirë se çfarë kishte ndodhur. Gjykata mori parasysh dëshminë e 14-vjeçarit në polici, ndërsa thirri në gjyq edhe pronarin e banesës ku u gjetën rrobat. Pronari I.Dabati pranoi se kishte gjetur rroba sportive në oborrin e shtëpisë, ditën e vrasjes së Ibrahim Manit.

Vrasësi me pagesë Kristi Pine, tashmë i penduar i drejtësisë, ka pranuar vrasjen e Ibrahim Manit, duke thënë se ishte porositur nga Admir Tafili. Por ky i fundit ka hedhur poshtë pretendimet e Kristi Pines, pasi deklaroi në gjykatë se Pine e kishte ekzekutuar Brahim Manin, për të marrë hak për vrasjen e dajës së tij.
“Pine më ka thënë se Mani ishte hasmi i tij. Ndaj ai e vrau për të marrë gjakun e dajës”, tha Tafili në gjykatë.

Grupi Kriminal
Të pandehur si pjesëtarë të grupit kriminal që dyshohet se drejtohej nga burgu nga Admir Tafili janë Elson Merdani, Dritan Peksani, Alfred Qefalia, Adrian (Isuf) Uzuni, Klajdi Shermadhi, Aleksandër Gora, Fatos Koka, Albano Beqiraj, Dhimitër Zito, Kalem Hyka, Besnik Daci dhe i penduari Kristi Pine. Ndaj këtij grupi rëndojnë akuzat e “Vrasjes me paramendim”, në bashkëpunim, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes së veprave penale nga grupi i strukturuar”.

Vrasja e Ibrahim Manit
Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se Kristi Pine, Admir Tafili, Elson Merdani dhe Dritan Peksani, më datë 25.06.2014, në qytetin e Shkodrës kanë ekzekutuar me armë zjarri shtetasin Ibrahim Mani. Dyshohet se vrasja mund të jetë kryer për motiv hakmarrjen mes familjeve Mani dhe Prroni nga Shkodra. Brahim Mani ka qenë në hasmëri me familjen Prroni nga fshati Oblike, pasi në vitin 1993 Shuaip Prroni ka vrarë me armë zjarri Hysni Manin (vëllai i Brahimit).
Në deklarimet e tij, Kristi Pine ka shpjeguar se: “Një ditë, në muajin maj 2014, unë kam shkuar në Tiranë dhe jam takuar me Elson Merdanin. Jemi takuar në afërsi të ish-Ekspozitës, në një lokal. Aty Elsoni më ka thënë se kishte një porosi nga Admir Tafilaj për të vrarë një person në Shkodër dhe më pyeti nëse isha dakord që ta vrisja unë. Ai më tha se ishte një vrasje që paguheshin pak lekë, por ishte vrasje e thjeshtë, që do bëhej në këmbë, dhe jo me makina apo motorë. Elsoni nuk më tha se kush ishte apo ku rrinte në Shkodër, por unë kam rënë dakord. Elsoni më tha që të mos e vrisja mendjen për armë apo për lekë… Unë Elsonin e kam takuar dhe pasi u përshëndetëm ai më ka dhënë një çantë të zezë shpine dhe disa lekë, se ishin porosi e Admirit. Ai më pas u largua… Aty kam hapur çantën dhe kam parë që brenda kishte një armë pistoletë tip ‘Zastava’ me fishekë 7.65 mm, të cilët nuk ishin të vendosur në krehër. Ajo kishte dhe një silenciator që ia kam montuar në shtëpi…”. Për të kryer njohjen e personit dhe gjetjen e banesës në qytetin e Shkodrës, Admir Tafilaj dhe Elson Merdani e kanë lidhur Kristi Pinen me Dritan Peksanin, banues në Shkodër (lidhje familjare e Admir Tafilajt). Pasi ka shkuar në Shkodër, Kristi është takuar me Elson Merdanin dhe ky i fundit i ka treguar banesën e Brahim Manit, mjetet që përdorte, dhe e ka informuar mbi oraret e lëvizjes së tij. Në deklarimet e tij si shtetas nën hetim, Kristi Pine midis të tjerave shpjegon se: “Ai m’u prezantua si Tani dhe ishte djali i tezes së Admir Tafilajt. Më pas ne kemi lëvizur në lagjen ku banonte ai, duke bërë xhiro në atë zonë. Ai më pyeti nëse kisha folur me Admirin dhe unë i thashë që ‘po’. Ai atëherë më ka thënë se duhej të vrisja një person i cili ishte fqinj me vetë Tanin. Ky person quhej Brahim dhe punonte si murator. Ai më tha se Brahimi lëvizte me motor, dilte nga shtëpia rreth orës 07:00 dhe kthehej në orën 18:00 nga puna. Ai kishte dy ose tre fëmijë, nuk e mbaj mend. Ne kemi kaluar afër shtëpisë së Brahimit me makinë, ku Tani më tregoi shtëpinë, dhe rastësisht ka qenë në oborr edhe personi që do vritej. Unë e kam fiksuar atë, i cili ishte i thinjur, i gjatë, pak i shëndoshë. Ne kemi vazhduar lëvizjen me makinë, ku Tani më tregonte rrugën në të cilën duhej të ikja pasi të kryeja vrasjen. Ai më ka treguar edhe shtëpinë e xhaxhait të Tafilajt, e cila kishte kamera vëzhgimi, ndaj duhej të bëja kujdes kur të ikja, por gjithsesi, meqenëse ishte xhaxhai i Admirit, ishte njeriu i tyre. Kjo banesë ishte rreth 100 metra nga banesa e Brahimit. Më pas ne kemi shkuar në shtëpinë e Tanit, që ishte rreth 150 metra nga shtëpia e Brahimit, afër banesës së xhaxhait të Admirit. Edhe kësaj radhe Tani erdhi me makinën e tij “Mercedes” katërfenerësh blu të errët. Nga aty, Tani më ka marrë dhe më ka treguar edhe një herë zonën, rrugicat ku kishte kamera, rrugët nga do hyja dhe nga do dilja. Në momentin që kemi kaluar sërish te shtëpia e Brahimit, e kam parë sërish këtë person, i cili po ndërtonte katin e dytë të shtëpisë së tij dhe ishte duke suvatuar një faqe i hipur në një skelë. Tani më ka thënë se Brahimi pinte kafe shpesh në një lokal përballë një karburanti afër hotel ‘Argenti’”.
Pine ka shkuar te banesa e viktimës, i cili ka qenë në oborr duke punuar së bashku me të shoqen. Sikurse deklaron ai vetë, në një moment kur e shoqja ka hyrë brenda, i ka thirrur me emër dhe në momentin që Brahimi ka kthyer kokën dhe është përgjigjur, ai e ka qëlluar tri herë me pistoletën me silenciator që kishte me vete dhe është larguar. Për këtë vrasje Kristi Pine nuk ka marrë shpërblim, pasi është kryer si një “nder” nga ana e tij ndaj Admir Tafilit dhe personave të tjerë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb