TIRANË- Janë 7, të dyshuarit e grupit kriminal, të cilët akuzohen për shpërthimet e fundit me tritol në Tiranë, përfshirë atë në farmacinë e babait të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Për të shtatë personat, Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, por dy prej tyre janë ende në kërkim. Prokuroria pohon se ka prova se këta 7 persona janë pjesë e së ashtuquajturës “banda e tritolit”, që ka terrorizuar kryeqytetin javët e fundit. Ndërsa hetimet vijojnë, pasi prokuroria nuk përjashton mundësinë që të ketë bashkëpunëtorë të tjerë. Policia ka shoqëruar sot për llogari të Prokurorisë gjithashtu Muhedin dhe Pajtim Gjutën, përkatësisht 37 dhe 32 vjeç, të afërm të Emirjon Gjutës, të ndaluar më parë nga policia për “veprime që pengojnë hetimit”..

1. Lumjan (Emiljano) Matmuja, 27 vjeç, (ekzekutuar vendimi i gjykatës nga policia)
2. Ernest Gjuta, 24 vjeç (ekzekutuar vendimi i gjykatës nga Policia)
3. Kamber Bruka, 31 vjeç, (ekzekutuar vendimi i gjykatës nga Policia)
4. Erjon Dule, 33 vjeç, (ekzekutuar vendimi i gjykatës nga Policia)
5. Emirjon Gjuta, 24 vjeç (ky shtetas gjendej deri ditën e djeshme nën masën e sigurisë “arrest me burg” me afat, i dyshuar fillimisht për veprën penale të “veprimeve që pengojnë hetimin”)
6. V. Gj., i shpallur në kërkim
7. B. B., i shpallur në kërkim

Prokuroria për Krime të Rënda, në vijim të hetimeve të nisura në bazë të materialit të referuar dhe në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka krijuar dyshime të arsyeshme për përfshirjen e këtyre personave në aktet e shpërthimit me tritol ose të mbetura në tentativë, ngjarje të ndodhura në datë 10.02.2015 në Tiranë.
Në bazë të akteve procedurale të deritanishme, Prokuroria për Krime të Rënda ka evidentuar se, të paktën 7 shtetasit, dyshohet se kanë rol në këto veprime, të cilësuara në Kodin Penal Shqiptar si “veprime me qëllime terroriste”.
Prokuroria Shqiptare, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kanë kryer veprime intensive që në momentin e ndodhjes së ngjarjeve për të zbuluar autorët. Pak ditë më parë, edhe Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, u shpreh gjatë një takimi në Shkodër se “Prokuroria, Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese po punojnë dhe shumë shpejt do të ketë rezultate konkrete”.
Në vijim të hetimeve, në datë 25.02.2015, Gjykata për Krime të Rënda pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprat penale “Veprave me qëllime terroriste” , “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes se veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 230, 333/a dhe 334/1 të Kodit për 7 shtetasit e mësipërm.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim midis tyre në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, dyshohet se kanë kryer përgatitjen, vendosjen dhe shpërthimin e pajisjeve bombë të telekomanduara me celular në farmacinë e shtetasit Bashkim Tahiri, si dhe vendosjen e lëndës shpërthyese në stacionin e autobusëve në Rrugën “Muhamet Gjollesha”.
Prokuroria për Krime të Rënda po vijon hetimet për dokumentuar plotësisht dyshimet mbi veprimtarinë kriminale të këtyre personave.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb