TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur zhvillimin e procesit për të ashtuquajturën “Banda e Tritolit” me dyer të mbyllura. Mësohet se kërkesa është bërë nga prokuroria me justifikimin se rrezikohet dalja e të dhënave të hetimet.

Por vendimi i Gjykatës është kundërshtuar nga i pandehuri Julian Sinanaj. “Nuk ka arsye të mbyllim dyert, show është bërë”, ka thënë Sinanaj.

Sinanaj revoltohet në gjyq: Policë e prokurorë të korruptuar, manipuluan provat. Zbardhen replikat

Revoltohet në sallën e gjyqit bashkëpunëtori i drejtësisë Julian Sinanaj, duke hedhur dyshime ndaj policisë dhe prokurorisë.

“Panorama” zbardh debatin, replikat dhe akuzat e Sinanajt në sallën e gjyqit, lëshuar nga prokurorëve e policëve, sipas tij të korruptuar e manipulues të provave.

Teksa perfaqësuesit e akuzes kanë qenë duke lexuar kërkesen per gjykim, Sinanaj ka reaguar duke pretenduar pavertetesi. “Nuk eshte e vertete qe më janë gjetur dy granata me vete ne momentin e arrestimit. Kam pasur vetem nje pistolete”, eshte shprehur Sinanaj.

Ai guxoi më tej t’u kërkonte llogari përfaqësuesve të akuzës se përse nuk ishte arrestuar një person i përmendur në dëshmitë e tij, i cili, sipas Sinanajt, është i afërmi i një zyrtari. “Prokuroria nuk e ka arrestuar”, tha Sinanaj, duke kërkuar nga gjykata që të mos mbulohej krimi i organizuar. I akuzuari kundërshtoi disa herë përpjekjet e gjykatës për t’i ndërprerë fjalën. Sinanaj pretendoi se prej nëntë muajsh i janë shkelur të drejtat e njeriut dhe se i ishte bërë presion psikologjik.

Sinanaj: Gënjeshtra! Janë gënjeshtra! Nuk kam pasur granata me vete. Kam pasur vetëm një pistoletë “TT”. Nuk bëhet gjyq me polici e prokurori të korruptuar. Kam dokument që vërteton që nuk kam pasur asgjë tjetër.

Gjykata: I tërhiqet vëmendja të pandehurit dhe i kërkohet të mos flasë pa leje.

Sinanaj: Zonja gjyqtare! Unë, bashkëpunëtor i drejtësisë, më janë shkelur të drejtat e njeriut. Për nëntë muaj kam qëndruar i izoluar dhe nuk më është dhënë mundësia të kem një avokat. Nëntë muaj gjyqe mediatike.

Gjykata: I pandehur! Të përsëritet vërejtja. Uluni dhe do të flisni vetëm me leje të gjykatës.

Sinanaj: Nuk është arrestuar kushëriri i B… (redaktuar), që më ka dhënë një sasi eksplozivi. Prokuroria nuk e ka arrestuar.
Gjykata: I pandehur! Uluni! Nëse nuk e ndërprisni fjalën do të jemi të detyruar të urdhërojmë përjashtimin tuaj nga seanca gjyqësore!
Sinanaj: Po ju them që më janë bërë presione psikologjike. Nuk luftohet kështu krimi i organizuar.
Gjykata: I pandehur, edhe një herë ju urdhërojmë të ndërprisni fjalën.
Sinanaj: Mos e mbuloni krimin e organizuar.

Rreth një javë më parë ishte kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi i cili ju drejtua Kryeprokurorit Adriatik Llalla me një letër për daljen e informacioneve të hetimeve mbi “Bandën e tritolit”.

Në letër numri Didi i kërkonte Prokurorit të Përgjithshëm që të hetonte se nga kanë dalë të dhënat e dosjes që janë publikuar në media, dhe konkretisht dëshmia e Julian Sinanajt dhe Ndriçim Gjokonës. Sipas Didit, për këtë dëshmi nuk ka pasur dijeni asnjë prej specialistëve të Sektorit të Akteve Terroriste në Policinë e Shtetit. Por, kryepolicin e ka shqetësuar më tepër edhe fakti se Sinanaj në gjyq ka deklaruar edhe emra të tjerë, por që policia nuk i kishte arrestuar.

Prandaj, Didi kërkoi ndërhyrjen e Llallës. I penduari i drejtësisë, në të ashtuquajturën ‘banda e tritolit’, Ndriçim Gjokona, ka nxjerrë fakte tronditëse në dëshminë e tij dhënë para prokurorëve të Krimeve të Rënda, për lidhjet e kriminelëve me struktura të caktuara të policisë. Sipas Gjokonës, vrasësi me pagesë Julian Sinanaj dhe të dyshuarit e tjerë, kishin lidhje të forta dhe me pushtet në policinë e Vlorës. Madje, Gjokona theksonte se njëri prej punonjësve të policisë, ishte në dijeni të aktivitetit kriminal të Julian Sinanajt.

(m.k/d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb