GJIROKASTËR

Një banesë monument kulture i kategorisë së dytë në Gjirokastër rrezikon shembjen. Edhe pse Drejtoria Rajonale e Monumenteve ne Gjirokastër ka bërë një ndërhyrje provizore emergjente, ajo nuk shmang përfundimisht rrezikun që qyteti të humbasë edhe një tjetër banesë me rëndësi për vlerat e qytetit të gurtë.

Theodhora Lula, banore e shtëpisë e cila është në rrezik shembje thotë se ndihet e frikësuar, pavarësisht mbrojtëses provizore të vendosur nga drejtoria e monumenteve.


Për specialistin e këtyre objekteve Arif Huso një ndërhyrje emergjentë provizore është realizuar me mundësitë që ka Drejtoria Rajonale e Monumenteve ne Gjirokastër por nuk ka munguar as një projekt i detajuar për shpëtimin nga shembja të kësaj banese. Duke qenë se është një banesë me pronarë por e braktisur, vështirësitë për bashkëpunim me institucionet përgjegjëse bëhet edhe më i madh.


Banesa Hroni, monument kulture e kategorisë së dytë, dikur pronë e kishës ortodokse, ka shërbyer prej vitesh si banesë sociale. Prej rreth 20 vitesh që ajo i është rikthyer në pronësi kishës ortodokse nuk ka pasur asnjë investim në të. Kjo banesë është vetëm një prej banesave të shumta monument kulture në Gjirokastër që po rrënohet si pasojë e braktisjes dhe amortizimit. Gjirokastra vitet e fundit ka humbur disa prej banesave me rëndësi për trashëgiminë dhe kulturën e këtij qyteti.


(BalkanWeb)