Koreja e Jugut dhe SHBA-ja kanë shtyrë manovrat e përbashkëta të forcave ajrore të planifikuara në fund të nëntorit, në mënyrë që të mbështesin përpjekjet diplomatike me Korenë e Veriut, deklaruan sot shefat e Mbrojtjes nga të dy vendet aleate, sipas agjencisë koreano-jugore të lajmeve “Yonhap”.


Koreja e Veriut ka kritikuar ashpër planet për manovra të përbashkëta ajrore në fund të këtij muaji duke kërcënuar se do të përgjigjej me një “dënim tronditës”.


“Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper dhe homologu i tij i Koresë së Jugut, Jeong Kyeong Doo deklaruan se vendimi për të shtyrë manovrat ajrore ishte për të lehtësuar diplomacinë në mosmarrëveshjen për programin bërthamor me Korenë e Veriut”, njoftoi Yonhap.


Të dy aleatët morën pjesë në samitin e ministrave të Mbrojtjes të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore ASEAN, në Bangkok.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb