TIRANE- Banka e Shqipërisë ka konstatuar në një raport të fundit se në muajt e fundit të vitit 2017 në ekonomi është rritur tendenca për të investuar dhe është ulur prirja për të kursyer.

Sipas Bankës, hendeku kursime-investime i sektorit privat u thellua në terma vjetorë gjatë tremujorit të katërt të vitit 2017, duke u vlerësuar në -2.8% ndaj PBB-së nominale (vlera negative e hendekut nënkupton investime më të larta se kursimet). Ky raport është 6.5 pikë përqindje më i ulët, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë.

investimet private janë zgjeruar ndjeshëm në terma të raportit ndaj PBB-së nominale. Ky raport vlerësohet në nivelin 23.1%, ndërkohë që një vit më parë vlerësohej në 20.5%. nga ana tjetër, kursimet private ndaj PBB-së nominale vlerësohet të jenë pakësuar në 20.3%, krahasuar me 24.2% një vit më parë. në rastin e sektorit publik është vënë re një ngushtim i hendekut negativ kursime-investime.

Raporti për tremujorin e katërt të vitit 2017 vlerësohet në nivelin -6.9%, krahasuar me -9.9% një vit më parë. Ndikimi kryesor ka buruar nga zvogëlimi i raportit të investimeve publike në 8.1% gjatë tremujorit në fjalë, krahasuar me 10.4% një vit më parë.
Capture-13
Ndërkohë, pesha e kursimeve publike ndaj PBB-së nominale është zgjeruar në 1.2%, krahasuar me 0.5% që ishte një vit më parë.

Në tërësi, thekson Banka, evidentohet një rritje e investimeve kombëtare si dhe një pakësim i kursimeve kombëtare (që të dy faktorë që ndikojnë në zgjerimin e deficitit korrent). Raporti i investimeve kombëtare ndaj PBB-së është zgjeruar në 31.2% nga 30.9% një vit më parë. nga ana tjetër, raporti i kursimeve kombëtare ndaj PBB-së është ngushtuar në 21.5%, krahasuar me 24.7% një vit më parë./monitor/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb