NGA: BARTHELEMY COURMONT* Kina ftohet në sistemin ekonomik ndërkombëtar, me rrezikun për ta tronditur atë. Banka aziatike e investimit për infrastrukturat, e njohur më tepër në emrin e saj anglisht, Asian Infrastructure Investment Bank, ose AIIB, është një nga krijimet kryesore të Presidentit kinez Xi Jinping qysh prej ardhjes së tij në pushtet.

Më pak e komentuar se “ëndrra kineze” me konture dhe objektivat e përcaktuara keq, dhe se lufta kundër korrupsionit që i bën të dridhen kuadrot e Partisë Komuniste Kineze (PKK), kjo bankë nuk mbetet më pak ambicioze, dhe do të mund të tronditë ekuilibrat ekonomike dhe financiare ndërkombëtare.

Pak si mënyra e hyrjes së Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) në nëntor të vitit 2001, e cila asokohe u komentua pak në një klimë ndërkombëtare të luftës kundra terrorizmit dhe luftës në Afganistan, krijimi i AIIB do të ketë reperkusione të thella në raportet e forcës midis fuqive të mëdha ekonomike, duke konfirmuar rolin në rritje të Kinës. Në këtë drejtim, kemi të bëjmë me një kthesë të vërtetë.

Gjatë e vizitës në Indonezi në muajin tetor të vitit 2013, presidenti kinez e përmendi për herë të parë këtë projekt, që zyrtarisht u krijua një vit më vonë dhe u vendos në Pekin. Për t’u bërë anëtarë themelues, shtetet kishin afat deri më 31 mars (datë e cila u shty më pas më 15 prill), për t’u shfaqur dhe për t’ju bashkuar bankës, që sot numëron pesëdhjetë e shtatë anëtarë, kryesisht vende aziatike dhe evropiane, plus Brazilin, Afrikën e Jugut, Iranin, Egjiptin, Emiratet e Arabe Bashkuara, apo dhe Arabinë Saudite.

Në shkallë kontinenti, iniciativa kineze menjëherë ka pasur një sukses të madh, me pjesëmarrjen e vendeve të ASEAN, të Azisë qendrore dhe të jugut, si India, Rusia dhe Korea e Jugut. Fakti që Kina lancon sulmin e saj për një bankë investimi nuk është ndonjë surprizë e madhe. Pekini disponon rezerva më të mëdha kapitalesh në botë, dhe ka shpejtuar qysh prej një dekade investimet e veta, në drejtim të vendeve ne zhvillim. Dhe iniciativat e tij në gjirin e BRICS-it kanë qenë indikatori i parë i këtij vullneti per të imponuar rregulla të reja. Kjo bankë është së pari një goditje e fortë për Japoninë, aktor kryesor i Bankës aziatike të zhvillimit (BASD), e krijuar në vitin 1966, selia e së cilës ndodhet në Manila, por të gjithë presidentët e së cilës, qysh prej pesëdhjetë vjetësh, janë japonezë. Kjo bankë mbështetet në tridhjetë e një anëtarë në krijimin e saj dhe sot numëron gjashtëdhjetë e shtatë anëtarë. Kina nga ana e saj u bë anëtare në vitin 1986.

AIIB imponohet si konkurrent kryesor i BASD, dhe krijimi i saj kushtëzohet me peshën në rritje të Kinës në ekonominë aziatike, në dëm të Japonisë. Krahas Koresë së veriut dhe Tajvanit, kandidatura e të cilit u hodh poshtë, Japonia është një nga vendet e rralla aziatike që nuk i është bashkuar bankës së re.

Çështja është se si BASD do të jetë në gjendje t’i rezistojë kësaj konkurrente të re. Dhe duke llogaritur forcën goditëse të Kinës, lidhjet e saj të vendosura me shumë vende aziatike (sidomos për zonën e shkëmbimit të lirë ASEAN-Kinë), marrëdhëniet me vendet e Azisë qendrore, lidhjet e bëra me vendet e Azisë së jugut dhe më gjërë me implikimet e Kinës në APEC, Pekini është shumë përpara. Dhe nuk duhet të çuditemi të konstatojmë që Tokio tregohet potencialisht e interesuar për të hyrë në AIIB, e cila është e paevitueshme në afat shkurtër.

Krijimi i AIIB është gjithashtu dhe sidomos, një dilemë për Uashingtonin. Shtete e Bashkuara jo vetëm kanë refuzuar për t’u bërë anëtarë, por amerikanët kanë kërkuar të bindin aleatët e tyre më të afërt si Britaninë e Madhe dhe Australinë, të mos futen në AIIB.

Fakti që Londra dhe Kanberra nuk dëgjojnë pakënaqësitë e Uashingtonit zbulon jo vetëm kapacitetin e influencës në rënie të Shteteve të Bashkuara, por gjithashtu për tërheqjen në rritje të Kinës.

Kjo del akoma më tepër dhe nga argumentet e ngritura nga administrata e Obamës, gje që zbulon një dilemë. Shtetet e Bashkuara kanë shprehur rezerva madje legjitime për krijimin e AIIB, duke argumentuar që kjo e fundit nuk vinte në mënyrë të mjaftueshme theksin për një qeverisje të mirë. Pra është mbi bazën e kontureve te Konsensusit të Uashingtonit, që Shtetet e Bashkuara e bazojnë refuzimin e tyre t’i bashkohen këtij institucioni të ri.

A është një kamuflim për këtë konsensus fakti që tetëmbëdhjetë anëtarë të G20 i janë bashkuar AIIB qysh me krijimin e saj?

Pa asnjë dyshim. Pragmatizmi peshon më shumë se pjesa tjetër. Presidenti i Bankës Botërore, amerikani Jim Yong Kim, ka bërë të njohur që nevojat janë aq të mëdha në drejtim të infrastrukturës në vendet në zhvillim, saqë çdo iniciativë është e mirëpritur. Një mënyrë për të mos humbur fytyrën (duke pritur që Uashingtoni të mos i bashkohet, gjë që do të ndodhë herët apo vonë, por medoemos shumë vonë), dhe në të njëjtën kohë të insistojnë në faktin që nuk mund më të ndodhë pa një implikim të rritur të Kinës, edhe duke ndjekur rregullat që ajo ka përcaktuar.

(ed.me/bota.al/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: