TIRANE- Bankat e nivelit të dytë kanë nxjerrë jashtë vendit 138 milionë euro në gjatë muajt e parë të vitit. Shifra është bërë e ditur nga Banka e Shqipërisë, sipas të cilës mësohet se forma e investimit që ka mbizotëruar në gjashtë muajt të parë të vitit është ajo e vendosjes së parave jashtë vendit, si “depozita në banka, institucione krediti dhe institucione të tjera financiare”. Ky zë është zgjeruar ndjeshëm me 11% apo me 19.1 miliardë lekë në vlerë absolute (138 milionë euro), në raport me fundin e 2014-ës.

Ndonëse interesat e euros janë negative, sërish bankat duket se po e shohin këtë si një alternativë më të sigurt të investimit të parave të tyre. Ndërkohë që totali i aktiveve të sistemit bankar arriti në 1.31 trilionë lekë në fund të gjashtëmujorit të parë 2015, duke shënuar një rritje me 1.5%, apo me 19.1 miliardë lekë, në krahasim me dhjetorin 2014, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Ritmet e rritjes janë ngadalësuar fare lehtë në raport me periudhat përkatëse të një viti më parë. Ndërsa huaja dhënë sektorit privat u rrit me vetëm 0.5% në fund të qershorit në raport me dhjetorin 2014-ës. Pas një gjallërimi në gjysmën e dytë të 2014-ës, huadhënia për ekonominë është frenuar sërish në gjysmën e parë të këtij viti.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: