Bankat tregtare te ne mbajnë rreth 7 miliardë euro, lekë, dollarë dhe valuta të tjera të qytetarëve tanë si depozita. Ato janë baza e ekonomisë së vendit dhe shpresa më e fortë për rritjen ekonomike të qëndrueshme të Shqipërisë, nëpërmjet kredive që japin. Bankat e nivelit të dytë janë asete kombëtare dhe pjesë e sigurisë sonë kombëtare. Kur vidhet një sasi e depozitave të qytetarëve shqiptarë(10 milionë euro) nga barku i një aeroplani në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, kjo përbën cenim të sigurisë sonë kombëtare.


Prandaj dhe duhet të ndërhyjë shteti. Ushtria, si një garanci më shumë, ia vlen të qëndrojë në ruajtje të mjediseve të sigurisë së aeroportit për një kohë relativisht të gjatë. Duhet kthyer besimi te rrugët normale të të bërit biznes dhe të ushtrimit të aktivitetit bankar. Shpresojmë që kompania shtetërore austriake e fluturimit(Austrian Airlines) të kthejë mbrapsht vendimin e saj për të mos lejuar transportin e vlerave monetare të bankave në fluturimet e veta. Veprim i marrë në kushtet e krijuara të një pasigurie të thekshme. Bankave tregtare duhet t’u mundësohet të transportojnë lirisht paratë e qytetarëve tanë, për aktivitetin e tyre.


Lëvizja, transferimi i parave jashtë vendit është një procedurë normale e bankave kudo në botë. Edhe tek ne, bankat e nivelit të dytë, bankat tregtare një pjesë të parave që nuk i përdorin për të dhënë kredi dhe që i kanë nga depozituesit (euro, dollarë, paund britanik, franga zvicerane, etj.), i investojnë. Mund t’i investojnë këto para thjesht duke kryer aktivitet këmbimi valutor(këtu tek ne niveli i këmbimit për valutat është pak më i mirë se sa në tregjet valutore në Vjenë ose Zvicër, për shembull) dhe duke i këmbyer eurot, dollarët, frangat zvicerane apo paundet e shqiptarëve në tregjet e huaja. Ose (dhe kjo është pjesa më e madhe e aktivitetit të tyre normal jashtë vendit) bankat tregtare i vendosin paratë në institucionet financiare jashtë vendit(bankat mëma ose banka të tjera), si formë alternative e investimit. Ky transferim kryhet fizikisht dhe kjo është një marrëdhënie që bankat e kryejnë duke përdorur shoqëritë private të sigurisë fizike në transportin rrugor dhe duke paguar kompanitë e fluturimit për atë ajror.


Grabitja e Rinasit ishte e rëndë jo vetëm për sasinë e madhe të parave që u vodhën, por pse ndodhte për herë të dytë në pak më shumë se dy vite(shkurt 2017, prill 2019). Qeveria jonë duhet të punojë me qeverinë austriake, nëpërmjet kanaleve diplomatike dhe kanaleve të tjera, për të siguruar se janë marrë të gjitha masat që ngjarje të tilla të rënda të evitohen në të ardhmen. Duhet autoriteti dhe forca e qeverisë sonë, pse mbyllja e këtij “rubineti” të natyrshëm për bankat për të lëvizur paranë që e kanë të lirë dhe nuk e shfrytëzojnë është me shumë rëndësi. Përfytyroni sikur vendimi i Austrian Airlines për të mos pranuar para fizike nga bankat në fluturimet e tyre të qëndrojë për një kohë të gjatë.

Mund të bllokohet lëvizja dhe përdorimi i qindra milionë eurove, dollarëve, frangave zvicerane apo stërlinave angleze. Sepse vërtet kemi rreth 7 miliardë euro depozita të shqiptarëve në euro, lekë, dollarë etj, por ama çdo vit bankat arrijnë të japin vetëm 1.1 miliardë kredi. Prandaj dhe e kanë domosdoshmëri të investojnë përtej kufijve shqiptarë një pjesë të depozitave që pranojnë. Bllokimi i pjesshëm i këtij investimi jo vetëm godet bankat tregtare këtu tek ne, por të gjithë ekonominë tonë.

Aktiviteti bankar duhet të vijojë normalisht. Vjena është epiqendra e transfertave fizike të parave për bankat. Nuk mund të jetë as Mynihu apo Londra, ku kemi fluturime të tjera të drejtpërdrejta nga Rinasi. Kjo, pse këto tregje nuk janë seli të bankave mëma të bankave të huaja që veprojnë tek ne. Në të kundërt, bankat tona tregtare mund të jenë të detyruara të ndërrojnë partnerë për marrëveshjet e tyre të investimit të parave të lira jashtë tregut shqiptar. Kjo mund t’ua vështirësojë aktivitetin. Si vend, si shoqëri e qeveri nuk kemi asnjë interes t’ua vështirësojmë jetën bankave që ushtrojnë aktivitet tek ne. Përkundrazi! Prandaj dhe qeveria jonë duhet të jetë në mbështetje dhe të provojë të bindë qeverinë austriake që të qetësojë dhe të ushtrojë ndikim sigurues pranë kompanisë shtetërore të këtij vendi mik me ne. Shumë interesa jo vetëm të botës bankare, por edhe të qytetarëve-depozitues shqiptarë janë në lojë. /GazetaShqiptare/