Kompania kanadeze e nxjerrjes së naftës “Bankers Petroleum” që operon në vendin tonë çon në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar në Paris, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, e cila i ka bllokuar kompanisë llogaritë bankare në Shqipëri të cilat përdoren për të kryer pagesat e furnizuesve lokalë apo dhe për shpenzime të tjera. Bankers pretendon që në fazë të parë të procesit të shqyrtimit nga gjykata ndërkombëtare që pritet të zhvillohet në ditët në vijim të pezullohet urdhri i bllokimit nga ana e tatimoreve.

Më 19 nëntor Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve vendosi bllokimin e llogarive bankare të kompanisë kanadeze në përpjekje për të mbledhur një detyrim në vlerë 75 milionë dollarë, shumë e rritur kundrejt vlerësimit të deklaruar nga 57 milionë dollarë, për shkak të interesit dhe gjobave të aplikuara.

Vlerësimi i tatimeve bazohet në një raport auditimi ende të pamiratuar të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, mbi bazën e të cilit tatimet kanë përllogaritur edhe taksat që kompania duhet të paguaje për të gjithë periudhën 2011-2014. Në bazë të licence-marrëveshjes AKBN është autoriteti që certifikon auditimin e kësaj kompanie mbi bazën e të cilit përllogariten taksat dhe detyrimet që kompania duhet të paguajë. Prandaj Bankers pretendon se urdhri i Tatimeve është i padrejtë derisa ende nuk ka një auditim të certifikuar nga AKBN.

Çështja përfundoi në gjykatë në muajin tetor të këtij viti ku gjykata administrative i dha të drejte Bankers dhe lëshoi një masë bllokuese ndaj urdhrit të Tatimeve. Këta të fundit e apeluan çështjen dhe Gjykata e Apelit i dha të drejtë, çka çoi në lëshimin e urdhrit të bllokimit nga ana e Tatimeve.

Shtetit shqiptar do t’i duhet të përballet tashmë në arbitrazh me kompaninë më të madhe në vend që gjeneron rreth 30%-40% te eksporteve shqiptare dhe mbi 70% te rentës së paguar. Një urdhër i ICC-së do të lejojë që procesi në tërësi të trajtohet në mënyrë të pavarur, në përputhje me parimet e pranueshme ndërkombëtare.”- njofton kompania, teksa pohon në fund se pret që qeveria shqiptare do të pajtohet me çdo vendim ndërkombëtar dhe do të mbështesë rezultatin e procesit të auditimit të palës së tretë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb