Dhjetëra nxënës dhe studentë të shkollave në kryeqytet morën pjesë në konkursin e gjuhës kineze, “Bankers Cup” organizuar në ditën ndërkombëtare të gjuhës kineze në Kombet e Bashkuara nga Instituti Konfuci në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës.
“Duke parë që kaq shumë studentë të rinj, e duan dhe e mësojnë gjuhën kineze dhe do të shpalosin arritjen e tyre mësimore dhe talentin në këtë konkurs, kam shumë pritshmëri për të ardhmen e ndritur të Shqipërisë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve tona. Ky konkurs është bërë një markë e mirënjohur e shkëmbimeve kulturore midis Kinës dhe Shqipërisë”, tha ambasadori i Kinës në Tiranë Zhou Ding.
CEO i Bankers, z.Qing Fang tha se kompania veç mbështetjes për këtë aktivitet ka dhënë një mbështetje të vazhdueshme përmes Institutit Konfuci në aktivitete dhe pasurimin e bibliotekës universitare me libra të mirënjohur të autorëve kinezë.
“Bankers është një nga kompanitë më mëdha dhe më të rëndësishme në vend. Ne jemi shumë të lumtur që po ndihmojnë në përhapjen e dijeve dhe kulturës kineze në Shqipëri, që është një nga kulturat më të lashta të njerëzimit”, u shpreh CEO i Bankers, z.Qing Fang.
Juria shpalli dhe fituesit e edicionit të sivjetshëm të konkursit “Kinezishtja urë lidhëse”, me çmime për tre grupet shkollore pjesëmarrëse, fillore, të mesme dhe universitare. Mbështetësi kryesor i këtij aktiviteti është kompania më e madhe në vend e prodhimit të naftës, Bankers Petroleum Albania, e cila prej më se 6 vitesh është nën pronësinë e investitorëve kinezë.