NGA VJOLLCA KONGJONI*

TIRANË- Prej pesë vjetësh kompanisë kanadeze Bankers Petroleum nuk i është bërë asnjë kontroll nga administrata tatimore, por kjo e fundit nuk ka hezituar që t’i paguajë kompanisë rimbursimin e TVSH-së. Kjo është bërë e ditur publikisht edhe nga Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve.

Që nga fillimi i këtij viti, sic shihet edhe nga dokumentat e paraqitura nga Open Data Albania, Drejtoria Rajonale e Tatimeve i ka rimbursuar kompanisë rreth 2 miliardë lekë Tatim mbi vlerën e shtuar mbi mallrat dhe shërbimet brenda vendit. Po kështu qeveria ‘Berisha’ gjatë vitit 2013 e ka gjobitur Bankers për mospagim të taksës së karbonit dhe rentës minerare. Por kompania jo vetëm që nuk i ka paguar këto gjoba, por ka fituar të drejtën nga Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës dhe nga Gjykata e Apelit.

Në zbatim të këtyre vendimeve nga Thesari në muajin shkurt të 2015-ës, kompanisë Bankers i janë rimbursuar edhe 1.2 miliardë lekë. Në fakt përjashtimet nga këto taksa janë përcaktuar që në fillim të marrëveshjes mes qeverisë “Nano” dhe kësaj kompanie që në vitin 2004.

Por mazhoranca e sotme akuzon qeverinë paraardhëse për lidhje me Bankers dhe favorizim të saj, duke e përjashtuar nga çdo lloj detyrimi fiskal. Edhe në marrëveshjen e dytë ndryshuese në nëntor të vitit të kaluar qeveria aktuale firmosi sërish në favor të Bankers Petroleum duke e përjashtuar atë nga efektet negative të paketës së re fiskale, siç shihet edhe në nenin 1.1 të këtij ligji.

Kjo nismë e qeverisë që e përjashtoi nga TVSH për naftën të cilën kompania importon për të kryer operacionet e kërkim zhvillimit, i kushton buxhetit të shtetit 200 milionë lekë. Pas incidentit të ndodhur në fillim të muajit prill në Patos-Marinzë me shpërthimin e dy puseve të naftës, qeveria deklaroi se do të kërkojë Audit ndërkombëtar për veprimtarinë e kësaj kompanie dhe nëse Bankers Petroleum do të ketë pakënaqësi nga këto audite, çështja do të shkojë në arbitrazh ndërkombëtar.

Por konsulentë nga firma kanadeze pohojnë për News24 se edhe në këtë rast Bankers do të dalë i fituar pasi ka respektuar të gjitha marrëveshjet e bëra me shtetin shqiptar.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: