TIRANE- Bankers Petroleum vëren se qeveria shqiptare ende nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit (ICC) për të ndaluar ekzekutimin e vlerësimit tatimor dhe për të hequr bllokimin e llogarive bankare shqiptare të Bankers. Gjykata e Arbitrazhit e lëshoi masën e sigurisë më 21 nëntor, e cila nëse do të zbatohet, do të lejojë Bankers për të operuar si zakonisht ndërkohë që procesi në Gjykatën e Arbitrazhit dhe ai i auditimit për kostot e rikuperueshme nga pala e tretë do të vijojnë. Tani, Bankers është i detyruar të konsiderojë një reduktim deri në ndalim të operacioneve të saj në Shqipëri, pasi bllokimi i llogarive bankare do të fillojë të kufizojë aftësinë e saj për të paguar kontraktorët të huaj dhe vendas, mallrat që importon dhe eksportin e naftës.


Javën e kaluar, kompania përfundoi pagesën e tatimit për rentën minerare për një anije eksporti nafte, duke liruar hapësirë në magazinimin në port.


Por ky eksport u kufizua në 85% të kapacitetit, si rezultat i fondeve të kufizuara për të paguar rentën minerare pasi vlera tejkalonte aftësitë paguese të shoqërisë.


Me bllokimin e llogarive të saj bankare shqiptare, shoqëria nuk ka aftësi financiare për të paguar taksat për eksport, çka mund të detyrojë shoqërinë që të reduktojë prodhimin nga fundi i kësaj jave, pasi magazinimi arrin kapacitetin maksimal.

Nga komunikimi me përfaqësues të Qeverisë, kompania ka marrë garanci se qeveria ka ndërmend të zbatojë urdhrin. Përveç kësaj, Qeveria ka qenë e angazhuar në procesin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve siç tregohet nga komunikimet e saj me Gjykatën e Arbitrazhit. Pritet që Qeveria të zbatojë urdhrin për të vazhduar më pas me pjesëmarrjen në procesin e Gjykatës së Arbitrazhit. Bankers shpreson se mund të arrihet një zgjidhje e kësaj situate para ndonjë reduktimi apo ndalimi të mundshëm të operacioneve.

Ndërkaq njoftohet se Albpetrol sh.a ka përzgjedhur studion ligjore ndërkombëtare, e cila do të përfaqësoje kompaninë në Arbitrazhin Ndërkombëtar me Bankers Petroleum. “Curtis” është kompania numër 1 në botë për sa i takon Arbitrazhit Ndërkombëtar. Bëhet fjalë për 220 milionë dollarë shpenzime që Albpetrol nuk i ka njohur Bankers Petroleum.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb