Bankers Petroleum Ltd është kualifikuar si një ofertë e suksesshme në raundin e tretë të konkurrimit për Bllokun Püspökladány (Blloku “P”) brenda rajonit Panonian, në Veri-Lindje të Hungarisë. Bankers do të operojë këtë licencë dhe do të investojë deri në 12.3 milionë euro në Hungari bazuar në një kontratë me afat prej 3 vjet e gjysëm.


“Ne jemi të kënaqur nga mundësia e paraqitur për të zgjeruar portofolin tonë dhe aktivitetin në rajonin Panonian, të pasur me naftë dhe gaz. Hungaria ka një histori të begatë të prodhimit të naftës dhe gazit brenda kësaj zone të pasur të synuar. Gjatë dy viteve të fundit ne kemi qenë duke kërkuar fillimisht për zonën më të mirë, dhe pastaj për partnerët më të mirë, për të shtrirë ekspertizën teknike të Bankers në nisma biznesi në rajon. Ne jemi të kënaqur që do të punojmë me autoritetet hungareze dhe partnerin tonë hungarez, TDE Services, për të rritur më tej rekordin tonë njëmbëdhjetë vjeçar të përdorimit të teknologjive më të mira perëndimore në zhvillimin rajonal në fushën e naftës dhe gazit në mënyrë të përgjegjshme sociale dhe mjedisore. Ne besojmë se janë veçanërisht të përshtatshme për të vlerësuar potencialin e kësaj zone”, komentoi David French, President dhe Shef Ekzekutiv i Bankers Petroleum.


Blloku “P”
Blloku “Püspökladány” është 878 kilometra katrorë (km2) dhe përmban edhe fushën e braktisur të naftës Biharnagybajom (BNB)  dhe pamjet e identifikuara në sizmikën historike 2D dhe 3D. Fusha e naftës BNB, një objektiv veçanërisht i përshtatshëm për ekspertizën e Bankers, nuk është punuar gjatë 20 viteve të fundit përveç një pune të pjesshme sizmike 3D në 500 km2 të bllokut në vitin 2005. Bankers, përmes një sipërmarrjeje të përbashkët të sapo formuar me TDE Services, e njohur si “PanBridge Hungari Zrt”, është angazhuar të bëjë kërkime në një zonë prej 200 km2 sizmike 3D në një pjesë të bllokut dhe të zhvillojë tre (3) puse vertikalë eksplorues që do të shpohen brenda vitit 2019 për të vlerësuar potencialin e vendburimit dhe targetet rrethuese për eksplorim.


Angazhimi financiar
Oferta nga sipërmarrja e përbashkët arrin një vlerë prej 2 Milionë Euro, ku Bankers financon 85% të saj. Sipas marrëveshjes së koncesionit, Bankers Petroleum do të investojë një kapital prej 12.3 Milionë Euro për një periudhë kontraktuale tre vjet e gjysëm. Programi do të financohet përmes burimeve cash të disponueshme. Plani i kësaj sipërmarrjeje për të bërë kërkime 3D sizmike brenda vjeshtës 2016 do të kërkojë deri në 3.5-4 Milionë Euro brenda vitit kalendarik 2016, ndërsa pjesa tjetër e kapitalit të angazhuar do të shpenzohet për kërkime nga viti 2017 dhe më tej.

PanBridge Hungary Zrt
PanBridge Hungary Zrt. është një shoqëri e përbashkët ndërmjet Bankers Petroleum që ka 85% të aksioneve dhe shoqërisë së prodhim & kërkimit dhe shërbimeve në naftës TDE Services, e cila ka 15% të aksioneve. Secila palë do të financojë pjesën e saj përkatëse të kapitalit ku Bankers  do të jetë operator. TDE Services sjell një përvojë të çmuar teknike dhe operacionale  në projekt  brenda juridiksionit hungarez.

Diversifikimi i Portofolit
Bankers është i kënaqur që do të shtojë Bllokun “P” në Hungari në portofolin tonë së bashku me pasurinë tonë kryesore, fushën  naftëmbajtëse të Patos-Marinzës në Shqipëri dhe koncesionet fqinje Blloku “F” dhe Kuçova. Bankers mbetet e fokusuar fort në pasuritë e saj shqiptare, maksimizimin e prodhimit nga fusha naftëmbajtëse e Patos-Marinzës duke shfrytëzuar teknikat kanadeze të ne prodhimit të naftës.

Përditësimi mbi Vlerësimin e Taksave
Bankers vazhdon të monitorojë me kujdes situatën lidhur me vlerësimin e taksave nga organet tatimore shqiptare. Shoqëria pret që qeveria shqiptare të zbatojë plotësisht masën e sigurimit të lëshuar nga Gjykata e Arbitrazhit e ngritur nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC). Kjo masë sigurimi i kërkon Drejtorisë së Tatimeve të heqë bllokimin e llogarive bankare shqiptare të shoqërisë dhe të lejojë shoqërinë të vazhdojë të operojë si zakonisht derisa çështja ende e pazgjidhur e auditimit të mund të zgjidhet siç është rënë dakord nga një palë e tretë ndërkombëtare auditimi. Bankers ka paraqitur zyrtarisht një kërkesë në Gjykatën e Arbitrazhit të ICC-së për një urdhër afatgjatë që do të dëgjohet nga Gjykata në javët e ardhshme.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb