TIRANË

Pas përfundimit të protestës në ‘Astir’, banorët e ‘Unazës se Re’  kanë mbërritur tek Drejtoria e Policisë së Tiranës. Kjo zhvendosje e tyre vjen si reagim ndaj efektiveve të policisë, të cilët ndaluan disa protestues në protestën e sotme të opozitës.


Me thirrjet “Rama ik”, “poshtë qeveria”,“lironi çunat” dhe e “e duam bashkinë pa Erion Velinë”, banorët vijojnë të kërkojnë lirimin e famijarëve, ndërsa ata po shoqërohen edhe nga përfaqësues të opozitës.


Ata sot numërojnë plot 138 ditë nga nisja e  protestës së tyre. Banorët i kanë bërë thirrje qeverisë të tërhiqet përfundimisht nga projekti i Unazës së Re.


Në krah të banorëve janë edhe dy ish-deputetët e opozitës së bashkuar, Klevis Balliu nga Partia Demokratike dhe Endrit Braimllari nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim si dhe sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, por edhe Albana Vokshi, Endri Hasa, Gent Strazimiri e Andon Frrokaj.

Pas shoqërimit të 14 protestuesve, nënë e Dorjan Protoduarit tha për “BalkanWeb” se djali i saj nuk ka bërë asgjë të paligjshme, por shtoi se po qe puna për të arrestuar, kjo policia duhet të arresotjë më parë hajdutët e projektit tek “Unaza e Re”.

“Ne nuk trembemi nga kjo polici. Djali ka marrë pjesë në protestë dhe unë kam bërë bashkë me atë dhe absolutisht nuk ka bërë asgjë. Nëse më gjejnë një faj tek djali im, të më tërheqin zvarrë këtu. Djali sapo zbriti  nga autobusi, kanë ardhur 20 policë me kapuçë në kokë dhe djali nuk ka bërë rezistencë. Qeveria dhe policia të vë në pranga ata që vodhën tek Unaza e Re”, tha nëna e Dorjan Protoduarit.

Nga ana tjetër, ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu djemtë e arrestuar i ka cilësuar si ‘heronj të  vërtetë”.

“Ata djem dhe janë heronj dhe do të dalin shumë shpejt për të vijuar protestën e radhës. Boll janë helmuar qytetarët shqiptarë, tani është koha që të helmohet ky”, tha Klevis Balliu.


(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: