Banorë të fshatit Unjate në Bashkinë e Klosit kanë protestuar për gjendjen e degraduar të rrugës së tyre. Banorët u mblodhën në rrugën e cila është bërë gati e pakalueshme. Ata thonë se për këtë rrugë kanë investuar vetë disa herë që me hapjen e saj dhe shtrimin apo mirëmbajtjen prej të paktën 15 vitesh. Rruga është kthyer e pakalueshme kur në të janë hapur kanalet për futjen e tubacionit të ujit të pijshëm.

Për këtë, banorët fajësojnë firmën “Gjoka” Konstruksion e cila po zbaton projektin. Prej tre muajsh e vetmja makinë që mund të hyjë në fshat duhet të jetë fuoristradë dhe katër herë katër. Banorët paguajnë deri në 3 mijë lekë të rinj vajtje-ardhje për të shkuar në qytetin e Klosit i cili nuk është më shumë se 3 km larg.

Nga ana tjetër, banorët thonë se Bashkia Klos dhe firma ja lënë përgjegjësinë e rehabilitimit të rrugës njëra–tjetrës, por pasojat po i vuajnë vetë ata.
Banorët paralajmërojnë se nëse problemi nuk zgjidhet, atëherë ata do të përshkallëzojnë protestat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: