Nga MARIGLEN MERTIRI* TIRANE- Gjashtë vjet pas ngjarjes së Gërdecit, banorët e këtij fshati rezultojnë debitorë të energjisë në po atë vit ku shpërthimi u rrafshoi shtëpitë dhe i largoi për disa muaj. Banorët deklarojnë se kjo situatë është e papranueshme pasi shumica prej tyre qëndruan larg asaj zone prej gati 3 vitesh pasi nuk kishin ku të banonin ndërsa pjesa tjetër e banorëve ankohen për mbifaturim megjithëse kanë sahat.

Njëri prej tyre Avni Cane i cili shtëpinë e ka rreth 200 metra larg kraterit deklaron se rezulton debitorë për periudhën pas ngjarjes por në të vërtetë shtëpi nuk ka pasur pasi çdo gjë ju shkatërrua me themele. Ai thotë se prej 3 vitesh jetoi me qira në Sauk dhe këtë e fakton me dokumentet që ka marrë nga qiradhënësi.

“Ka qenë e rrafshuar fare, nga viti 2008 deri në 2011 që e kam ndërtuar dhe kam ardhur të banoj, kam dëshmitarë. Gjatë kësaj kohe është bërë faturim për energjinë elektrike, sikur nuk ka ndodhur asgjë”, thotë Avni Cane.

Si kjo familje në këtë zonë ka shumë të tjera të cilat rezultojnë debitorë por që në të vërtetë shtëpia e tyre është rindërtuar pas disa vitesh në atë zonë.

“Këtu çdo gjë është rrafshuar, por sipas CEZ-it, që ka qenë atëherë këtu nuk ka ndodhur asgjë, dritat kanë qenë në rregull. Faturat nuk vijnë nëpër shtëpi”, thotë një tjetër banor i Gërdecit.

Në këtë zonë ka edhe familje emigrantësh që jetojnë jashtë prej kohësh por sot janë debitorë, ndërsa qiriu mbetet prej gati një muaj ndriçuesi i familjeve pa energji.

“Kam qenë familjarisht në Greqi. Nuk kam energji, që me 5 nëntor. Rezultoj debitor me 2 milion e 360 mijë lekë”, tregon një banor.

“Faturat nga 2007 e deri tani kanë qenë siç u ka dashur qejf. 70-80-90 një familje, pavarësisht se kemi sahat. Do ti lë fëmijët pa bukë dhe do ti laj dritat se skam nga tia mbaj. Me qiri rrimë”, thonë banorët.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb