TIRANË- Banorët e zonës së Institutit kanë protestuar sërish sot për ndërprerjen e energjisë elektrike. Banorët kanë deklaruar se prej 8 ditësh nuk kanë drita, pasi OSHEE ua ka ndërprerë, ndërsa ata faturohen nga matësa të përbashkët.
Nga ana tjetër, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë ka pohuar se rreth 537 familje që jetojnë në zonën e Institutit janë debitorë në një shumë prej 142 milion lekësh.
Deri në pagesën e detyrimeve OSHEE, nuk ju rikthen energjinë.

“Në këto ambiente jetojnë 537 familje, në 8 godina. Deri më 31 dhjetor 2013 banorëve iu janë fshirë detyrimet me vendim të qeverisë. Më pas është bërë një marrëveshje edhe me ndërmjetësimin e Prefektit dhe janë vendosur matësa në çdo godinë. Por sërish edhe pas instalimit të matësave nuk u pagua energjia. Në total detyrimi nga 1 janari 2014 është 142 mln lekë. Për shkak të mospagimit të faturave ndërpremë energjinë. Thirrje banorëve të paguajnë detyrimin duke përfituar deri më 28 shkurt nga lehtësirat e krijuara”, thuhet në reagimin e OSHEE-së.
Banorët e Institutit protestuan edhe disa ditë më parë për të njëjtën arsye, duke deklaruar se paguajnë energjinë brenda qirasë që i paguajnë Universitetit Bujqësor.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb