LUGINA E PRESHEVES- Banorët e Luginës së Preshevës janë në një hall të madh. Serbia po i çregjistron në vendin e tyre të lindjes, ndërsa ata nuk po mund të regjistrohen në Kosovë.

Këtë problem e ka ngritur në “KTV”, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.

“Shkelja e madhe që po ndodh është ajo me qytetarët e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës. Një numër i madh i këtyre qytetarëve që jetojnë në Kosovë për shkaqe të ndryshme, Serbia po i diskriminon tash e sa vjet vazhdimisht duke i çregjistruar nga listat e regjistrit të vendbanimit dhe duke i penguar në të drejtat civile, duke filluar nga nxjerrja e dokumenteve elementare siç janë certifikatat dhe dokumentet tjera”, ka sqaruar Jashari.

“Gjithashtu edhe nga autoritet kosovare këtyre qytetarëve nga Lugina e Preshevës u pamundësohet nxjerrja e dokumenteve të Kosovës. Pra këta qytetarë janë në gjendje shumë të keqe”, vijoi ai.

Sipas tij, vetëm në rajonin e Gjilanit janë mbi 2 mijë persona që kanë këtë problem.

Ai ka premtuar se do të bëjë çmos që të argumentojë para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për këtë shkelje të drejtave të njeriut që po ju bëhet këtyre qytetarëve dhe, siç ka thënë që Serbia të marrë aktgjykimin e merituar për fshirjen nga regjistrat këta banorë shqiptarë.

“I njëjti rast ka ndodhur edhe me Slloveninë, ai ku komuniteti boshnjak është fshirë nga regjistrat dhe Sllovenia e ka humbur këtë betejë në gjyq”, ka thënë Jashari.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb