Bashkia e Lezhës dhe Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ‘përplasen’ për pallatin 12 katësh në lagjen “Besëlidhja” në Lezhë që ka pësuar disa dëmtime nga tërmeti i 26 nëntorit.

Banorët e këtij pallati janë takuar sot me Ministrin Lleshaj që ka qenë në Lezhë dhe kanë kërkuar të dinë për gjendjen e tij, pasi nga bashkia iu është thënë se duhet të dalin. Bashkia nuk ka vendosur shirit, por iu është thënë banorëve të largohen deri sa të vijnë ekspertë më të specializuar që të ketë një vendim më të saktë.

Por nga ana tjetër ministri Lleshaj ka siguruar banorët për pallatin. Sipas tij, objekti është i sigurt dhe mund të vazhdojnë të jetojnë aty. Madje për të siguruar banorët, Lleshaj ka kërkuar një apartament bosh për të qëndruar vetë një javë aty.

Por banorët ia kanë kërkuar mendimin e ekspertëve. Ndërkohë edhe drejtori i urbanistikës në bashkinë Lezhë Nik Leka kundërshton ministrin. Disa banorë kanë dalë dhe kanë braktisur pallatin.

“Nuk jam ekspert. Nga ajo që shoh është se është një ndër pallatet më në gjendje të mirë që kam parë edhe në Tiranë edhe në Durrës. Maksimumi nesër ose sonte do të sjell ekspertë ta shohin. Për të nxjerrë merakun ju. Por një pallat që nuk është thyer një xham nuk ka problem. Ua ka prishur mendjen dikush…”, tha Lleshaj.

Banori: Duam të dimë nga një specialist i ndërtimit ku jemi?
Lleshaj: Erdha me pa, i thashë një zonje aty në qoftë se keni ndonjë apartament bosh të vijë të rri këtu s’do ishte keq.
Banori 1: Hajde rri me mua sonte.
Banori 2: Ta lëshoj dhe unë por a ka ndonjë specialist. Jo me duar në xhepa o shef!

Lleshaj: Dëgjo, asnjë borxh nuk të kam. E para njëherë asnjë borxh nuk të kam.
Banori 1: Jo, borxh na ke se ti je shtet. Ne paguajmë taksa, borxh na ke, me na sqaru a të rrimë a mos të rrimë. Nuk duam asgjë tjetër. me na pru një ekspert.
Lleshaj: Nuk ju kam asnjë borxh.
Banori 1: Borxh na ke se paguajmë taksa, unë paguaj taksa për sigurinë e jetës e të gjitha.
Lleshaj: Ke paguar ndonjë taksë ti për sigurinë ndaj tërmetit.
Banori 3: Kemi tre ditë që presim nga shteti që do të vijnë të koalidohet e do vijnë ekspertë.
Lleshaj: Ti çfarë halli ke, pse pret?
Banori 3: Po ku të shkojmë. Me ditë a të rrimë brenda a jo.
Lleshaj: Po kush ka thënë që duhet me dalë.
Banorët: Sot na ka thënë kryetari i bashkisë, me specialistët, inxhinierët. Ka dëmtime serioze, na thënë do i vëmë shiritin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb