NGA ORNELA MANJANI

Familjet e shpërngulura nga zona ku është ndërtuar ujësjellësi i Bovillës do të marrin tapitë për shtëpitë që kanë ndërtuar dhe toka mbi të cilën kanë ngritur banesat do t’u jepet pa pagesë. Ky është vendimi i marrë dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, i cili përcakton procedurat dhe afatet për kalimin e së drejtës së pronësisë, pa pagesë, mbi truallin dhe objektet e ndërtuara për familjet e shpërngulura nga ndërtimi i ujëmbledhësit të Bovillës.

Vendimi
Qeveria vendosi dje se kalimi i së drejtës së pronësisë mbi truallin dhe ndërtimet e subjekteve të shpërngulura nga ndërtimi i ujëmbledhësit të Bovillës, kryhet pa pagesë, sipas listave të hartuara në bazë të vendimit nr.85, datë 2.3.1994, të Këshillit të Ministrave, “Për vënien në dispozicion të zonave të banimit për familjet që shpërngulen nga ujëmbledhësi i Bovillës dhe ato që kanë ndërtuar pa leje përreth qytetit të Tiranës”. Në pikën dy të vendimit përcaktohet se titulli i pronësisë për objektin dhe truallin fitohet nëpërmjet lejes së legalizimit, e cila është e vlefshme për regjistrim në regjistrin e pasurive të paluajtshme.

Procedura
Procedurat për dhënien e lejes së legalizimit kryhen sipas gjendjes ndërtimore faktike, të evidentuar në terren, përfshirë ndryshimet apo shtesat informale të realizuara në objekt. Ndërkohë që, drejtoria përkatëse e ALUIZNI-t i kërkon njësisë së qeverisjes vendore listat e plota të subjekteve të shpërngulura nga ndërtimi i ujëmbledhësit të Bovillës, brenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

Njësia e qeverisjes vendore përcjell listat e subjekteve brenda 10 ditëve nga administrimi i kërkesës. Ndërkohë që brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, drejtoria përkatëse e ALUIZNI-t kryen evidentimin në terren të objekteve dhe verifikimin nëse ka aplikime për legalizim, duke plotësuar dokumentacionin e përcaktuar në pikën 1, të vendimit nr.589, datë 10.9.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave të evidentimit faktik, në terren, të ndërtimeve pa leje/shtesave në ndërtime me leje, të organeve dhe dokumentacionit për propozimin dhe miratimin e zonave informale”, të ndryshuar.

Konfigurimi i sipërfaqes së truallit përcaktohet nga ALUIZNI, duke i pasqyruar në genplanin përkatës. Sipërfaqja e truallit që përfitohet, pa pagesë, është sipas masës së vënë në dispozicion në zbatim të vendimit nr.317, datë 19.6.1995, të Këshillit të Ministrave, “Për sistemimin me tokë bujqësore dhe truall ndërtimi të fshatrave Zallmner, Bulcesh dhe Brurëz”, të ndryshuar.
Mosmarrëveshjet dhe pretendimet mbi masën e sipërfaqes së truallit ose konfigurimin e tij, shqyrtohen nga gjykata kompetente.

Kalimi i pronësisë
Objektet dhe trojet që kalohen në pronësi sipas këtij vendimi, nuk u nënshtrohen kritereve dhe procedurave kualifikuese të përcaktuara në vendimin nr.280, datë 1.4.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi, në ndërtime me leje”.

Brenda 30 ditëve nga përfundimi i procedurave sipas pikave 5 dhe 6 të këtij vendimi, drejtoria e ALUIZNI-t miraton lejen e legalizimit, në favor të subjekteve në moshë madhore në kohën e shpërnguljes, sipas certifikatës së përbërjes familjare të datës 2.3.1994, ose të trashëgimtarëve të tyre.

Aplikimi për regjistrimin e pasurisë kryhet sipas vendimit nr.1095, datë 28.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave të bashkërendimit të punës, ndërmjet ALUIZNI-t dhe ZQRPP-së, dhe të procedurave apo kufizimeve që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara”.

ZVRPP-ja Tiranë, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga paraqitja e kërkesës për regjistrim nga ALUIZNI, kryen regjistrimin përfundimtar të pronësisë mbi truallin dhe ndërtesën për të cilën është lëshuar leja e legalizimit. Qeveria ngarkon Ministrinë e Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë, Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, Bashkinë Kamëz dhe Bashkinë Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: