TIRANË

Banorët e Unazës së Re, shtëpitë e të cilëve do të prishen për ndërtimin e Unazës së Madhe i kanë kërkuar Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku të nisë hetimet kryesisht për të paktën dy vepra penale: Korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Kallëzimi i tyre prej 8 faqesh i është dërguar Prokurorit të Përgjithshëm Arta Marku, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për dijeni Presidentit të Republikës SH.T.Z. Ilir Meta si dhe Avokatit të Popullit Znj. Erinda Ballanca.

Në letrën drejtues kryeprokurores Marku, banorët i cilësojnë si kriminale veprimet e zyrtarëve në Ministrinë e Infrastrukturës, Bashksisë së Tiranës, Autoritetit Rrugor dhe ALUIZNI-t.

Objekti i letrës është “Për nisjen e hetimeve kryesisht për mënyrën e realizimit të Projektit ‘Rehabilitim i Segmentit Rrugor Mbikalim Pallati me Shigjeta Sheshi Shqiponja’, dhe referim i dyshimit të arsyeshëm për kryerjen e veprës penale ‘Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë’ dhe ‘Shpërdorim i detyrës’, parashikuar nga nenet 245 dhe 248 të Kodit Penal, nga zyrtarët publikë në Bashkinë Tiranë, Autoritetit Rrugor Shqiptar, ALUIZNI dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës”.

Banoret Kallezim
Banoret Kallezim

Letra, që u firmos mbrëmë gjatë protestës në mbrojtje të shtëpive nga prishja pa dëmshpërblim, synon të vërë në lëvizje organin e akuzës për të ndaluar atë që banorët e quajnë “dëbim me forcë”.

Banorët i shpjegojnë me detaje kryeprokurores veprimet dhe mosveprimet e organeve shtetërore që nga shenjimi me kryq i shtëpive nga persona të paidentifikuar deri tek lajmërimi me gojë se banesat e tyre do të prishen për shkak të një projekti të panjohur më parë.

“Prishja e banesave dhe marrja e truallit, pa na ofruar më parë një dëmshpërblim të drejtë të dëmit që na shkaktohet, përbën veprim arbitrar të autoriteteve publike, që cenon të drejtën tonë të pronës”, thuhet në letrën e banorëve për Arta Markun.

Nëpërmjet kësaj letre, banorët e Unazës së Re tregojnë me hollësi procedurën dhe hapat që ata kanë ndjekur në të kaluarën për legalizimin e tyre, duke respektuar ccdo kërkesë ligjore.

“Secili prej nesh, ka paguar tarifat e shërbimit të kërkuara nga autoritetet kompetente shqiptare, janë njoftuar nëpërmjet njoftimeve në shtypin e shkruar nga ALUIZNI që banesat tona janë kualifikuar për legalizim, është miratuar për disa raste kalimi i tyre në pronësi të subjekteve poseduese me VKM përkatëse dhe janë në fazën përfundimtare të procesit. Për pasojë, gjatë gjithë kësaj periudhe, kemi qenë në pritje të marrjes së lejes së legalizimit, duke krijuar pritshmërinë e ligjshme të trajtimit të barabartë nga ana e shtetit, jo vetëm me banorë të tjerë të zonës që i janë legalizuar banesat, por me të gjithë qytetarët që kanë qenë subjekt përfitues nga ligji i legalizimeve”, thuhet në letrën ku i kërkohet nisje e hetimeve kryesisht Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku.

Banorët shprehin besimin se Prokuroria do të veprojë në mënyrë të shpejtë dhe të paanshme, në mbrojtje të interesit të qytetarëve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb