SHKODER- Njëzet familje në lagjen “Tre Heronjtë” në periferi të Shkodrës rrezikojnë të mbeten në qiell të hapur, pasi tokës ku kanë ndërtuar shtëpitë i ka dalë pronari. Mëngjesin e së shtunës, banorët e zonës së njohur si “Gjeologjia” janë hedhur në protestë. Ata njëzëri kanë denoncuar organet e drejtësisë (gjykatën dhe prokurorinë e qytetit verior) se kanë falsifikuar dokumentacionin duke i dhënë të drejtën e ligjshmërisë Nikolin Kujgjias (pronari i tokës).

Një nga protestuesit, Ndokë Qepuri pohoi për “Gazeta Shqiptare” se Nikolin Kujgjia, ish-drejtor administrativ për 8 vite në parlamentin shqiptar, ka falsifikuar dokumentet përmes Gjykatës së Shkodrës dhe do t’i nxjerrë ata nga banesat. “Ky person është i njohur i ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe ka mbështetjen e saj. Ai zotëron shumë prona në Shkodër dhe si për të mos i mjaftuar ato, do të na dëbojë me forcë nga këtu. Por, ne jemi të vendosur që të mos i lëshojmë banesat dhe së bashku me gratë e fëmijët do të vetëflijohemi”, – tha Qepuri. Edhe banorë të tjerë deklaruan se vetëm të vdekur do të dalin nga banesat e tyre. Mësohet se këto familje janë vendosur në këtë tokë rreth 25 vite më parë dhe si shumë qytetarë të tjerë kanë ndërtuar shtëpitë në tokë shtetërore. Ndërkaq, Përmbarimi u ka lënë afat deri më 23 tetor për të liruar banesat. Fill pas akuzave të këtyre familjeve, të cilat implikojnë ish-Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, në çështjen që ata e kanë jetësore, ajo ka telefonuar gazetarin e “News 24” dhe “Gazeta Shqiptare”, Mirsad Rakaj. Ky i fundit dje bëri me dije, se deputetja e Partisë Demokratike në Shkodër e ka kërcënuar duke i thënë se për lajmin e publikuar do të paguajë miliona lekë. Jo vetëm kaq, por (sipas korrespondentit), Topalli i ka thënë se “këtë çështje do ta zgjidhim privatisht”. Biseda telefonike shënoi orën 12:32, ndërsa ka zgjatur 3 minuta e 15 sekonda.

KERCENIMI I GAZETARIT
Mirsad Rakaj ka përcjellë në “Gazeta Shqiptare” bisedën e plotë telefonike me bashkëqytetaren e tij, Jozefina Topalli.
Deputetja: Ti je Mirsadi?!
Gazetari: Po, unë jam Mirsadi.
Deputetja: Ke ba një lajm për mu.
Gazetari: Kam bërë një lajm ku banorët ju kanë implikuar ju, duke u shprehur se personi që do t’u marrë pronën ka mbështetjen tuaj.
Deputetja: Për ket lajm që ke ba do të të padis në gjykatë, do bëj të paguash miliona lekë.
Gazetari: Po tjetër?
Deputetja: Përveç kësaj do të të tregoj unë ty se kush jam unë. Këtë çështje do ta zgjidhim privatisht
Gazetari: Më vjen keq, kam 7-8 vite që punoj gazetar dhe është hera e parë që presioni, dhe ky i parë, më vjen nga një femër.
Deputetja: Ore ti, me kë tallesh?
Gazetari: S’po tallem, por po flas seriozisht. Nëse do, përgënjeshtroje lajmin në media. Unë këtë detyrë kam, që të përcjell shqetësimet e qytetarëve. Nuk jam nga ata gazetarë që i ha presionet e kërcënimet dhe fjalën e lirë nuk ma ndalon asnjeri. (I mbyll telefonin.)

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: