ITALI

George dhe Amal Clooney do të presin këtë fundjavë në vilën Oleandra në liqenin e Comos në Itali ish-presidentin amerikan Barack Obama së bashku me familjen e tij. Mediat italiane raportojnë se e gjithë zona është blinduar.

Kryetari i bashkisë duket se ka njoftuar tashmë edhe mbylljen e një parkingu pranë vilës për dy ditë, si dhe aplikimin e gjobave shumë të larta ndaj dronëve që do të lëshohen në hapësirë ajrore.

Aktualisht Obama dhe familja e tij (Michelle, Sasha dhe Malia) kanë ndaluar në Francë. George dhe Amal Clooney kanë ftuar më parë në vilën Oleandra një sërë personash të njohur, si Sandra Bullock, Jennifer Aniston, Matt Damon, Julia Roberts, etj.

Ndërsa për sa i takon thashethemeve të përsëritura rreth kandidaturës së tij hipotetike për të qenë në krye të Shtëpisë së Bardhë, Clooney vijon t’i kundërshtojë haptazi. “Jo politika nuk është vend logjik për mua, kam talente të tjera dhe profesionin tim. Nuk dua të bëj kompromise siç bëjnë politikanët”-është shprehur aktori.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb