Ilir Daja, trajneri i Dinamos, analizoi barazimin 2-2 me Partizanin.

“Mirë se ju gjeta! Derbi është një ndeshje e veçantë. Na duhet të krijojmë qëndrueshmëri në lojë dhe pikë. Në dy ndeshjet e fundit janë marrë 4 pikë. Barazimi i sotshëm ka shumë vlera. Partizani dhe Egnatia janë 2 ekipe që kanë pikësynim marrjen e kampionatit. Bashkë me ndonjë ekip tjetër. Rikthehem në shtëpi. Pavarësisht se kam pasur shumë shtëpi, ku kam shkuar si mysafir dhe kam dalë si familjar. Rikthehem në momentin e duhur për të nisur një cikël. Vështirësitë i bëjnë gjërat edhe më të bukura.  

Presioni është gjithmonë. Kam drejtuar ekipet e elitës në futbollin shqiptar. Dinamo është ekipi i dytë më i titullar, duhet ta menaxhojmë presionin. Duhet shpërndarë, në futboll nuk flitet me unë, në futboll flitet me ne. Duhet shpërndarë presioni. Vetë futbolli është lojë që presionin e ka brenda. Unë jam tip që edhe kur s’ka presion e krijoj ndonjëherë vetë. 

Kjo Dinamo, edhe kjo lojë e sotme, gjithë merita i takon lojtarëve. Brenda një javë nuk mund të bësh shumë gjëra. Me plotësimin e grupin, edhe me ndonjë element tjetër cilësor, me ardhjen e kondicionit të Alijit dhe Tolit. Me rikthimin e Gudiamit, Qefalisë, do të kemi më shumë mundësi zgjedhje. Rivaliteti mund të japë shtysë më të madhe.  

Në këtë lojë nuk ka pasur shumë strategji. Sot futbollistët kanë vrapuar pa u ndalur asnjë moment .T’i marrim gjërat hap pas hapi. Në futboll nuk dihet rezultati. 

Në raport me kundërshtarin, i kishim rastet e barabarta. Duhet të kemi qëndrueshmëri në lojë. Duhet të shtojmë mbajtjen e topit dhe manovrën në fazën e sulmit, që t’i bjerë më pak punë mbrotjes. Në filozofinë time do të fillojmë që nga mbrojtja. Duhet të kemi më shumë agresivitet dhe të jemi më të shkurtër. Këto do të kapja unë në vija të përgjithshme.  

Nëse do ta kishim humbur ndeshjen, nuk do ta doja këtë përballje. Tani kemi një bonus psikologjik, që me një ekip të fortë si Partizani dhe me lojë të barabartë, morëm 1 pikë. Barazimi ishte rezultati i drejtë. Sakrificat mbulojnë shumë gjëra. Ky derbi na shërbeu, sepse nuk ishim nën nivelin e Partizanit në lojë”,

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb