GJERMANI- Barcelona fiton titullin e pestë të Ligës së Kampionëve duke mposhtur Juventusin me rezultatin 3-­1 në finalen mashështore të Berlinit. Kjo finale u mbyll në një mënyrë të pazakontë, teksa minutën e fundit të lojës, Nejmar shënoi golin e tretë për Barcelonën.


Pjesa e parë e ndeshjes ka përfunduar 1-0 për Barcelonën me një gol të shënuar nga kroati Ivan Rakitiç. Ndërsa në fillim të pjesës së dytë Juventusi nisi një kundërsulm të frikshëm. Ish-sulmuesi i Realit të Madritit, Alvaro Morata barazon rezultatin, pasi merr një top të grushtuar nga portieri Ter Stegen. Por nuk është tërhequr Barcelona dhe në minutën e 68-të Suarez shënon golin e dytë për katalanasit.


Min 91-­ Barcelona nis të mendojë për mbrojtjen, teksa nxjerr nga loja autorin e golit të parë, Ivan Rakitiçin. Në vend të tij hyn mbrojtësi francez Methiu.


Min 85-­ Lorente depërton mirë në krahun e majtë dhe i afrohet zonës së Ter Stegenit. Shërben për Tevez, i cili ka mundësinë më të mirë për të barazuar, por gjuajtja e tij bllokohet.

Min 79­- Zëvendësim te Juventusi. Arturo Vidal, i ndëshkuar me karton të verdhë në pjesën e parë lë lojën. Vendin e tij e zë Perreira.

Min 78-­ Moment magjik. Ksavi hyn në lojë për të luajtur ndoshta ndeshjen e fundit me Barcelonën, ndërsa Iniestea lë fushën, përpara se t’i vendoste shiritin e kapitenit. Ovacione në stadium për legjendën e Barcelonës.

Min 72-­ Nejmar shënon një gol, por anulohet nga gjyqtari për prekje të topit me dorë. Sulmuesi brazilian e goditi topin e krosuar edhe me kokë edhe me dorë.

Min 68­- Barcelona “kopjon” skemën e Juventusit. Suarez merr një top të kthyer nga Bufon pas një goditetjeje dhe e çon atë në rrjetë. Barcelona kryeson sërish.

Min 63­- Tevez ka një shans mjaft të mirë, godet fort nga qendra, por topi i tij përfundon mbi traun e portës. Ishte një rast i shkëlqyer për të përmbysur rezultatin.

Min 49­- Barcelona nis një kundërsulm në krahun e majtë. Rakitiç udhëheq aksionin. Janë pesë kundër dy. Kroati shërben për Suarezin, i cili godet, por është sërish Bufon që mban Juventusin në lojë.

Pjesa e parë

Min 45­- Mbyllet pjesa e parë e finales së Ligës së Kampionëve, midis Barcelonës dhe Juventusit. Dy skuadrat ndahen vetëm nga një gol i shënuar nga Rakitiç në minutën e katërt të takimit, pas një asistimi të Iniestës.

Min 44­- Nejmar rrëmben një top të gabuar në krahun e majtë dhe kroson për Suarezin, i cili është i vetëm me Bufon. Uruguaiani tenton ta godas topin me kokë, por ai ishte shumë i lartë.

Min 41­- Suarez ka dy shanse mjaft të mira brenda 1 minute. Në rastin e parë godet nga jashtë zone por topi përfundon jashtë, në të dytin godet nga krahu i majtë pasi merr një top fantastik, por grushtohet nga Bufon.

Min 25­- Rast për Juventusin. Një top i Pogbasë në zonë largohet nga mbrojtja e Barcelonës dhe përfundon në këmbët e Markizios, i cili godet nga jashtë zone, por topi përfundon vetëm pak mbi traun e portës.

Min 20­- Pogba depërton mjaft bukur nga e majta dhe shërben për Tevez, mirëpo Pique arrin që ta largojë topin në goditje nga këndi.

Min 10-­ Karton i verdhë për Arturo Vidal. Ky i fundit, pasi e lëshoi topin para, ndërhyri në mënyrë të parregullt ndaj Serxhi Busketsit.

Minuta e 4- ­ Jordi Alba kombinon me Neymar­in në krahun e djathtë. Ky i fundit ia kalon topin Andres Iniestës, i cili shërben për Ivan Rakitiç. Kroati e ka të lehtë të shënojë nga brenda zonës.

VIDEO PROJEKTOR PRANË KRYEMINISTRISË NË TIRANË

Në lulishten pranë Kryeministrisë në kryeqytet është vendosur një video-projektor, ku qindra tifozë të të dyja skuadrave po ndjekin përballjen e madhe. Por bashkë me ta është edhe kryeministri Edi Rama. Kështu atmosfera e Berlinit ndihet disi edhe në Tiranë.

19:35-­ Dalin formacionet zyrtare

JUVENTUS (4­3­3): Buffon, Lichtsteiner, Barzagli, Bonucci, Evra, Marchisio, Pirlo, Pogba, Vidal, Tevez, Morata. Rezervat: Storari, Ogbonna, Padoin, Sturaro, Pereyra, Matri, Llorente. Mungesat: Caceres, Chiellini.

BARCELONA (4­3­3): Ter Stegen, Alves, Pique, Mascherano, Alba, Rakitic, Busquets, Iniesta, Messi, Suarez, Neymar. Rezervat: Claudio Bravo, Bartra, Mathieu, Adriano, Xavi, Rafinha. Pedro. Mungesat: S’ka. Gjyqtar: Cuneyt Cakir

Ora 19:30­- Barcelona mbërrin në Stadiumin Olimpik të Berlinit
Lojtarët e Barcelonës kanë mbërritur në stadiumin e Berlinit. Futbollistët janë të veshur me kostume sportive dhe kanë zbritur në fushë për të “inspektuar” terrenin.
Si gjithmonë, më sportivi mbetet Nejmari, i cili për asnjë moment nuk i heq kufjet nga veshët. Ndërkohë, autobusi i juventinëve është ende rrugës për në stadium.

Tifozët mbushin Berlinin

Finalja e Ligës së Kampionëve po afron dhe tifozët e Barcelonës dhe Juventusit e kanë mbushur tashmë Berlinin. I gjithë qyteti tashmë është veshur me vija kuqeblu dhe bardhezi, teksa katalanasit dhe italianët janë më të shumtë në qendër të qytetit.

Të dyja skuadrat i kanë nga dy trofe për këtë sezon, dhe secila që fiton sot, do të arrijë të përmbushë tripletën e madhe. Deri tani, Barcelona e ka bërë tripletën e trofeve në vitin 2009, nën drejtimin e Pep Guardiolës, ndërsa Juventusi ende po pret të bëjë tripletën e parë.

Evra: Do t’ia zgjas dorën Suarezit

Mbrojtësi i Juventusit, Patris Evra ka treguar edhe njëherë profesionalizëm, teksa para përballjes me sulmuesin e Barcelonës, Luiz Suarezin, ai ka thënë se do t’ia zgjasë dorën këtij të fundit. Rreth dy sezone më parë, Evra dhe Luis Suarez patën një konflikt verbal, kur francezi luante për Mançester Junajtid, ndërsa uruguaiani për Liverpulin. FA­ja angleze e pezulloi për më shumë se 10 ndeshje Suarezin për racizëm ndaj Evrasë. Suarez nuk e priti mirë këtë dhe në një përballje të dytë pas pezullimit, ai nuk ia dha dorën Evrasë. Mirëpo, tashmë, ku kanë kaluar dy vjet, Evra thotë se do t’ia zgjasë dorën sërish Suarezit. “Do t’ia jap dorën patjetër. Unë jam profesionist”, ka thënë ai.

Ora 12:00- Juve-­Barça, një finale ëndrrash për tripletën. 1000 policë, 15000 euro dy bileta dhe parashikime pikante

Barcelona dhe Juvja luajnë një finale speciale, sepse cilido që të jetë fituesi, do të mund të bëjë tripletë. Kjo, pasi të dyja ekipet kanë në xhep tashmë kampionatin dhe kupën në vendet respektive. Kryeqyteti gjerman ka pritur 71 mijë vizitorë, ku më të rrezikshmit do jenë 40 mijë tifozët (20 mijë juventinë, 20 mijë katalanas). Çmimet reale të biletave kushtonin nga 70 në 360 euro, por çmenduria e ofertave të fundit arriti kulmin. Në treg ofroheshin bileta nga 1 deri në 4 mijë euro. Oferta më e bujshme ishin dy bileta, përfshirë dhe hotelin për 15 mijë euro.

Aeroporti i Berlinit është mbipopulluar. 180 çarter dhe 40 avionë në gatishmëri për transportin e vizitorëve. Avionët më të shtrenjtë nuk vinin nga Torino apo Barcelona, por nga Anglia dhe Rusia. Prania e mediave ka qenë e jashtëzakonshme. 1800 punonjës televizioni do kujdesen për transmetimin e finales. 40 kamera do filmojnë finalen, por në ajër do instalohet edhe një kamera­helikopter që do survejojë gjithçka që ndodh. 550 gazetarë të akredituar dhe 200 fotografë do përshkruajnë me detaj atmosferën në “Olimpiashtadion”. Një vend të rëndësishëm zë edhe organizimi i sigurisë. Ministria e Brendshme ka vënë në dispozicion 1 mijë forca policie, mes të cilëve edhe civilë që do mbikëqyrin me detaj çdo lëvizje. Më me kujdes do survejohen ultrasit e Juventusit.

 

(m.k/BalkanWeb)