Barcelona ka mposhtur me rezultatin 3-0 Levanten në takimin e kthimit të vlefshëm për 1/8-at e Kupës së Spanjës, por gjithsesi katalanasit nuk mund të festojnë ende pasi mund të eliminohen në tavolinë.

Arsyeja është flagrante dhe fajtorë janë drejtuesit e klubit: në ndeshjen e vajtjes,  hodhën në fushë Çumin, një prej talenteve të akademisë së tyre, por mesa duket askush nuk e kishte llogaritur faktin se ai, pak ditë përpara sfidës së vajtjes me Levanten në kupë, ishte përjashtuar me karton të kuq në ndeshjen e fundit që luajti me Barcelona B.

Dhe duke qenë se ai nuk e kishte shlyer ende dënimin, rregullorja nuk e lejonte që të luante sfidën e radhës, por ndërkohë, trajneri i skuadrës së parë, Ernesto Valverde, i painformuar nga drejtuesit e klubit, e ka lëshuar në fushë të riun Çumi dhe në këtë mënyrë rrezikojnë pezullimin. Dhe gjasat që ky skualifikim të vijë janë mëse konkrete, duke qenë se këtë e ka zbuluar edhe vetë e përditshmja katalanase, “Mundo Deportivo”.

Nesër Levante do të reklamojë sfidën e parë për parregullsinë dhe ekipi katalanas rrezikon seriozisht që t’i japë lamtumirën turneut.

Për sa i përket takimit të sotëm, dopieta e Dembelesë në minutat 30 dhe 31 si dhe goli i Mesit në minutën e 54-t i siguruan fitoren skuadrës së Valverdes, që nuk e diskutoi për asnjë moment triumfin. Vetëm 1 gjuajtje e miqve në portë dhe plot 13 të katalanasve tregojnë më së miri epërsinë e kampionëve në fuqi të Spanjës.

/Panoramasport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb